Mungon prokurori dhe njëri nga të akuzuarit, dështon për herë të 11 gjykimi për kontrabandim me migrantë

07.02.2019
Author

Raporton: Valentina SHAHINI – GRAJҪEVCI

Shkurt 7, 2019

Prishtinë – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, për herë të 11 ka dështuar gjykimi ndaj të akuzuarve për kontrabandim me migrantë, Gopal Singh Khadaka, Eran Elshani, Qamil Hyseni, Liridon Hyseni dhe Besim Neziri, Milazim Selmani dhe Nikollë Bardheci.

Arsye për mos mbajtjen e shqyrtimit fillestar, ka qenë mungesa e prokurorit Ilaz Beqiri dhe e të akuzuarit Liridon Hyseni.

Për prokurorin Beqiri, gjykatësja e rastit Naime Krasniqi – Jashanica, ka deklaruar se gjendet në një gjykim tjetër tek gjykatësi Arben Hoti.

Për të akuzuarin Hyseni, babi i tij, tani i akuzuar në ketë çështje Qamil Hyseni, e ka njoftuar gjykatën se i njëjti nuk ka mundur të jetë i pranishëm për arsye se gjendet në një gjykim tjetër në Mitrovicë.

Ndryshe, gjykatësja Jashanica, ka deklaruar se ndaj të akuzuarve Nikollë Bardheci, Besim Neziri, është veçuar proceduar, sepse sipas informatave të zyrtarëve policorë të njëjtit gjenden jashtë shtetit.

Në mungesë të kushteve, gjykimi i këtij rasti është shtyrë për 14 mars 2019, duke filluar nga ora 11:00.

Ndryshe, ky gjykim është tentuar të mbahet edhe dhjetë herë të tjera, por të gjitha këto kanë dështuar.  Konkretisht, nuk kanë arritur të mbahen seanca e 24 janarit, 12 shkurtit, 19 marsit, 17 prillit, 10  majit, 8 qershorit, 14 qershorit dhe 6  gushtit, dhe e 2 tetorit, si dhe  21 nëntor 2018, ku të gjitha kanë dështuar si pasojë e mungesave të të akuzuarve.

Sipas aktakuzës, së përpiluar më 19 dhjetor 2017, pretendohet se i akuzuari Gopal Singh Khadaka, akuzohet së në muajin maj të vitit 2012, në mënyrë të kundërligjshme ka sjellë në Kosovë disa shtetas nepalez, të cilët për një kohë i ka vendosur në hotel “Evropa” në Gjilan dhe nga aty i ka marrë tani i gjykuari Idriz Gashi dhe në mënyrë ilegale i ka dërguar në Serbi, me ndihmën e disa personave shtetas të Serbisë, ku Idriz Gashi, pasi i ka dërguar në Serbi personat e tillë, ju ka marrë pasaportat e tyre dhe të njëjtat i ka dorëzuar tek i pandehuri Gopal Singh Khadaka.

Me këto veprime, Prokuroria e ngarkon të akuzuarin Gopal Singh Khadaka se ka kryer veprën penale “kontrabandimi me migrantë” nga neni 170 par.1 lidhur me nenin 31 të KRPK-së.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Eran Elshani akuzohet se në cilësinë e pronarit të agjencisë turistik “Eran Elshani” me seli në Prizren, gjatë verës së vitit 2012, e në bazë të marrëveshjes paraprake me tani të gjykuarin, Lavdim Syla, nëpërmjet linjës së autobusit, Prizren-Beograd, ka dërguar shtetas Aziatik, nga Kosova në Serbi, të cilët ja kanë sjellë i gjykuari Lavdim Syla, në atë mënyrë që ata persona i ka vendosur në kabinën e fjetjes së shoferit dhe për këtë nga çdo person ka marrur nga 200 euro pasi të njëjtit  i ka dërguar në Beograd, duke ju edhe siguruar biletat për në Suboticë  si dhe kartelat me numrat e telefonit të Serbisë.

Me këto veprime, Prokuroria e ngarkon të akuzuarin Eran Elshani se ka kryer veprën penale “kontrabandimi me migrantë” nga neni 170 par.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Ndërsa, i akuzuari Milazim Selmani, akuzohet se gjatë muajit korrik 2012, në bazë të marrëveshjes paraprake me tani të gjykuarin, Avni Hajrullahun, kanë dërguar tre persona nga Kosova në Mal të Zi, dhe nga Mali i Zi në vendet tjera evropiane dhe për këtë secili person kanë marrë nga 2500 euro për person, si dhe disa personave tjerë fillimisht i’u kanë siguruar viza çeke dhe të njëjtit i kanë dërguar në vendet e ndryshme të BE-së, duke marrë nga 3000 euro.

Me këto veprime, Prokuroria e ngarkon të akuzuarin Milazim Selmani se ka kryer veprën penale “kontrabandimi me migrantë” nga neni 170 par.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit Qamil dhe Liridon Hyseni, akuzohen se gjatë muajit prill të vitit 2012, kanë ndihmuar tani të gjykuarit Bashkim Ahmetin, Bashkim Brahën, Avni Shitin, për kontrabandimin e emigrantëve me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme, duke bartur me veturat e tyre “Golf 3” dhe “Passat”, nga Hani i Elezit në Mitrovicë, shtetas aziatikë, të cilët në territorin e Kosovës i kanë futur tani të gjykuarit Bashkim Braha dhe Avni Shiti.

Me këto veprime, Prokuroria i ngarkon të akuzuarit Qamil e Liridon Hyseni, se kanë kryer veprën penale “Ndihma” nga neni 33 për kryerjen e veprës penale “kontrabandimi me migrantë” nga neni 170 par.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Ndërsa, sipas aktakuzës i akuzuari Nikollë Bardheci akuzohet se gjatë verës së vitit 2012, ka bërë rregullimin e vizave të ndryshme për qytetarët e ndryshëm të Kosovës, të cilat të njëjtit i kanë përdorur që të shkojnë në vende të ndryshme të Evropës, me ndihmën e të gjykuarit Avni Hajrullahut dhe Milazim Selmanit dhe atë për të dëmtuarin Alban Salihu dhe Shkodran Salihu, pasi që ata qytetarë kishin mbetur në Kroaci dhe ato pasaporta, tani i gjykuari Avni Hajrullahu, ia kishte dhënë vëllait të pandehurit Nikollë Bardheci, Prenk Bardhecit, i cili jeton në Kroaci.

Me këto veprime, Prokuroria e ngarkon të akuzuarin Nikollë Bardheci se ka kryer veprën penale “Ndihma”, nga neni 33 për kryerjen e veprës penale “kontrabandimi me migrantë” nga neni 170 par.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Ndërsa, të akuzuarin Besim Neziri, Prokuroria e akuzon se gjatë muajit Maj dhe Qershor të vitit 2012, i ka ndihmuar tani të gjykuarit Idriz Gashi, që t’iu mundësojnë qëndrimin e paligjshëm në Kosovë qytetarëve të Republikës së Shqipërisë, Denisa Shkalla, Melvina Fortuna dhe Brikena Korra, në atë mënyrë që me vulën e avokatit Ekrem Agushi, kanë përpiluar dokumente  gjoja  me të cilat iu është hequr ndalesa e qëndrimit në Kosovë të dëmtuarve dhe për këtë iu kanë marrë nga 200 euro, e të cilat janë kthyer fillimisht në Shqipëri dhe kur kanë tentuar që të hyjnë prapë në Kosovë me ndihmën e të gjykuarit Idriz Gashi, kanë kaluar në mënyrë ilegale kufirin duke hyrë në Kosovë.

Me këto veprime, Prokuroria e ngarkon të akuzuarin Besim Neziri se ka kryer veprën penale Ndihma nga neni 33 për kryerjen e veprës penale “kontrabandimi me migrantë” nga neni 170 par.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.