Mungon prokurori dhe një i akuzuar, shtyhet seanca kundër kondukterëve të akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare
Raporton: Diana BERISHA
Prishtinë – Mos prezenca e prokurorit të çështjes Ilaz Beqiri dhe të akuzuarit Bekim Krasniqi, bëri që seanca e paraparë të mbahet të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të shtyhet për 15 shtator 2016. Përveç Krasniqit në këtë rast aktakuza e ngarkon edhe Hysen Ahmetin, Imer Canollin dhe Ilir Berishën për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Prezent në këtë gjykim të seancës fillestare ishin tre të akuzuarit e lartë përmendur dhe përfaqësuesi i të dëmtuarës “Trafiku Urban” Hafir Hamiti. Mirëpo si shkak i mungesës së prokurorit të çështjes dhe njërit prej të akuzuarve, gjyqtari Valon Kurtaj, tha se nuk janë plotësuar kushtet për mbajtjen e seancës.
Sipas Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të akuzuarit Hysen Ahmeti, Imer Canolli, Ilir Berisha dhe Bekim Krasniqi, në cilësinë e personave zyrtarë – kondukter të Trafikut Urban kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare duke kopjuar kupona fiskal.
Aktakuza pretendon se i akuzuari Ahmeti ka keqpërdorur 666 kupona fiskal dhe ka përvetësuar shumën prej 266.40 euro. Tutje sipas prokurorisë i pandehuri Krasniqi ka përvetësuar shumën prej 45.60 euro, Canolli shumën prej 26.04 euro dhe i pandehuri Berisha shumën prej 25.06 euro. Me këtë rast të pandehurit në fjalë të dëmtuarës “Trafiku Urban” në Prishtinë i kanë shkaktuar dëm material.