Mungon prokurori dhe i akuzuari, dështon të mbahet seanca fillestare për armëmbajtje pa leje

thumbnail_IMG_0690
Author

Raporton: Elsa KOLLQAKU

Prill 7, 2021

Prishtinë – Mungesa e prokurorit të shtetit dhe ajo e të akuzuarit për armëmbajtje pa leje, Bunjamin Gashi, u bë shkak që të dështojë të mbahet shqyrtimi fillestar i paraparë për të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Lidhur me mungesën e prokurorit, gjykatësi Agim Kuqi deklaroi se ftesa është pranuar në mënyrë të rregullt, mirëpo nuk është arsyetuar mungesa, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kurse për të pandehurin Gashi, gjykatësi deklaroi se fletë kthesa nuk është kthyer në gjykatë dhe se nuk dihet nëse i njëjti e ka pranuar ftesën në mënyrë të rregullt.

Kështu, në mungesë të kushteve ligjore për mbajtjen e seancës, e njëjta u shty për 5 maj 2021, në ora 09:30.

Sipas aktakuzës së ngritur më 28 shkurt 2017, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Bunjamin Gashi po akuzohet se me 24 janar 2017, rreth orës 20:45, në rrugën “Agim Ramadani” në Prishtinë, Njësiti Policor i Stacionit Qendra në Prishtinë, për të legjitimuar kishin ndalur veturën e tipit “Golf 5”, të cilën ishte duke e drejtuar i dyshuari Bunjamin Gashi.

Sipas aktit akuzues, mbrapa në ulëse të pasagjerit është gjetur një  armë “pistoletë” e tipit “Ekol Tuma”, kalibri 8mm, një karikator të pistoletës së lartcekur dhe 5 fishekë të saj, të cilën thuhet se i akuzuari e ka mbajtur në pronësi, kontroll, në shkelje me ligjin e zbatueshëm, e cila armë i është gjetur dhe konfiskuar nga ana e policisë.

Me këtë, Gashi akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 375, paragrafi 1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi