Mungon prokurori dhe i akuzuari, dështon gjykimi për dallavere me disa prona në Çagllavicë

Gjykata
Author

Raporton: Mirvet THAQI

Shkurt 11, 2019

Prishtinë – Mungesa e të akuzuarit Arif Gashi dhe përfaqësuesit nga Prokuroria e Shtetit, ka bërë që të dështojë shqyrtimi gjyqësor, i caktuar të mbahej të hënën lidhur me veprat penale të mashtrimit dhe legalizimit të përmbajtjes së pavërtetë.

Gjykatësja e çështjes, Lumnije Krasniqi, ka deklaruar se ka marrë një njoftim nga mbrojtësi i të akuzuarit Gashi, avokati Ekrem Agushi, se i klienti i tij është i sëmurë dhe ai nuk mund të prezantojë në këtë gjykim.

Gjykatësja Krasniqi, ka konstatuar edhe mungesën e përfaqësuesit nga prokuroria, për të cilin tha se është ftuar në mënyrë të rregullt për seancën e së hënës dhe mungesën nuk e ka arsyetuar.

Në rrethana të tilla, gjykatësja Krasniqi mori vendim që të ndërpritet ky shqyrtim gjyqësor dhe seancën e radhës e ka caktuar të mbahet më 26 mars, duke filluar nga ora 13:30.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 31 gusht 2012, i akuzuari Arif Gashi akuzohet se gjatë viteve 2007, 2008, 2009 dhe 2010 në Prishtinë, me qëllim që t’i sjell vetes dobi pasurore me paraqitjen e fakteve të rreme, në vazhdimësi ka bërë falsifikimin e gjashtë autorizimeve të dhëna më herët nga ana e të dëmtuarit Zllatibor Mitiq, përndryshe pronar i parcelave të cilat gjenden në fshatin Çallgavicë.

Gjithnjë sipas akuzës, i akuzuari Arif Gashi e ka vënë në lajthim të dëmtuarin duke ia falsifikuar autorizimet VR.nr. 2039/07 të datës 21 maj 2007, ashtu që më 9 maj 2007 pa autorizimin e të dëmtuarit në Gjykatën Komunale të Prishtinës, dega në Graçanicë e ka vërtetuar autorizimin 778/10 me sipërfaqe 0.04,48 ha për të cilin është vërtetuar se i takon autorizimit të mëhershëm nr.778/15 dhe më 8 prill 2008 autorizimin VR.nr.1750/2008 i cili i ka takuar parcelës 778/21 me sipërfaqe 0.04.26 ha dhe në vend të këtij numri i ka shënuar numrat e parcelave 778/7 me sipërfaqe 0.04.38, 778/9 me sipërfaqe 0.04.35, 778/11 me sipërfaqe 0.04.61 ha , 778/22 me sipërfaqe 0.04.38 dhe 778.13 me sipërfaqe 0.04.76 ha.

Tutje, sipas akuzës, i akuzuari pastaj i ka vërtetuar kontratat për shitblerjen e këtyre patundshmërive në Gjykatën Komunale në Prishtinë, me ç’rast të dëmtuarit i ka shkaktuar dëm të konsiderueshëm material.

Me këto veprime, Prokuroria e ngarkon të akuzuarin Arif Gashin, se në vazhdimësi ka kryer gjashtë vepra penale të mashtrimit, nga neni 261 par.2 lidhur me par.1 të KPK-së.

Gjithnjë sipas akuzës, i akuzuari pas kryerjes së veprës penale si në dispozitivin numër 1, ai në vazhdimësi ka vënë në lajthim punëtorin e autorizuar të Gjykatës Komunale në Prishtinë, për ta vërtetuar një çështje të pavërtetë – kontratat: nr. VR.nr.1531/08 më 6  mars 2008, pastaj VR.nr.9943/09 më 12 dhjetor 2009, VR.nr.552/09 më 23 janar 2009, VR.nr.3435/08 më 5 maj 2008, VR.nr.7707 më 29 shtator 2009 si dhe VR.nr.2525/2010 më 12 prill 2010, si provë për pronësinë mbi patundshmërinë, ndërsa  më vonë i dëmtuari ka kuptuar se është i mashtruar.

Me këto veprime, Prokuroria e ngarkon të akuzuarin se në vazhdimësi ka kryer gjashtë vepra penale të legalizim i përmbajtjes së pavërtetë, nga neni 334 par.1 të KPK-së.