Mungon prokurori, dështon gjykimi në rastin e të akuzuarit për heqje të shenjave zyrtare

Amiri
Author

Raporton: Amir BUNJAKU

Shkurt 8, 2019

Vushtrri – Në mungesë të prokurorit të shtetit, ka dështuar dëgjimi i katër dëshmitarëve, të premten, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, dega në Vushtrri, në rastin e të akuzuarit për heqje të shenjave zyrtare, Brahim Hajdarit.

Këtë të premte,  ishte caktuar të dëgjohen dëshmitarët  Gani Bunjaku, Sabit Sadiku, Zenel Ademi dhe Qerim Hajdari, mirëpo, për shkak të mungesës së përfaqësuesit të organit akuzues seanca u shty për një ditë tjetër.

Gjykatësi i rastit, Rifat Bllata, në mungesë të kushteve ligjore seancën e radhës e ka caktuar të mbahet me 11 shkurt 2019, në ora 09:00.

Lidhur me këtë rast kanë seancën e kaluar kanë dëshmuar edhe gjyqtari, Besnik Feka si dhe eksperti gjeodet, Bedri Dobra.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë, më 4 korrik 2017, kishte ngritur aktakuzë ndaj Brahim Hajdarit me pretendimin se kishte kryer veprën penale “heqja apo dëmtimi i vulave zyrtare ose shenjave”, nga neni 414 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Hajdari, më 17 prill 2014, në fshatin Nadakovc në Vushtrri, kishte hequr shenjën e vendosur nga personi i autorizuar, e cila ishte vënë me qëllim të sigurimit të vijës ndarëse të parcelave kadastrale, dhe të njëjtën e kishte vendosur disa metra larg vendit ku kishte qenë më parë.

Siç thuhet në aktakuzë, Hajdari këtë veprim e kishte kryer në prezencë të gjykatësit Besnik Feka dhe ekspertit të gjeodezisë Bedri Dobra.