Mungon përfaqësuesi nga BKS, shtyhet seanca ndaj të paditurit për rimbursim dëmi

46491956_364045597497753_6407473632284508160_n
Author

Raporton: Blerim JAKUPI

Prill 15, 2019

Kamenicë – Mungesa e përfaqësuesit nga Byroja Kosovare e Sigurimeve (BKS), si palë paditëse, ka bërë që të dështojë seanca e së hënës për rimbursim dëmi, në Gjykatën Themelore në Gjilan, dega në Kamenicë, ndaj të paditurit Svetozar Natiq.

Një gjë e tillë ka ndodhur pasi që askush nga BKS-ja nuk është paraqitur në seancë.

Në lidhje me rastin, gjykatësi Blerim Beshtica, në fillim të kësaj seance përgatitore konstatoi se paditësja, është ftuar në mënyrë të rregullt, por se ftesës nuk i është përgjigjur, dhe se mungesën nuk e ka arsyetuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Me propozimin e të paditurit Natiq, kjo seancë është shtyrë më 24 prill 2019, në ora 13:30, ku i padituri si palë ndërgjyqëse është njoftuar gojarisht për kohën e mbajtjes së saj, ndërkaq me ftesë të rregullt gjyqësore do të ftohet paditësja, BKS.

Byroja Kosovare e Sigurimeve, më 7 shtator 2017, e ka paditur tashmë të paditurin Svetozar Natiq, me arsyetimin se ai më 23 nëntor të vitit 2011, rreth orës 17:00 në Komoran, ka shkaktuar aksident trafiku me automjetin “Peugot”.

Në padi thuhet se deri te aksidenti ka ardhur kur automjeti të cilin e drejtonte i padituri, nga pakujdesia i shkakton dëme të dëmtuarit, Sabedin Demiri.

Tutje, në padi pretendohet se automjeti i cili ishte shkaktar i këtij aksidenti, ka qenë pa mbulesë siguruese, respektivisht me afat të skaduar të policës së sigurimit.

Si rezultat i këtij aksidenti, Byroja Kosovare e Sigurimit pretendon se të dëmtuarit Sabedin Demiri, në respektim të Ligjit për Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia, dhe në respektim të dispozitave të L.M.D, i ka kompensuar dëmin e pësuar material dhe jo material.

Andaj, paditësja me kërkesëpadi kërkon nga gjykata që të detyrohet i padituri, Svetozar Natiq, që asaj t’i rimbursojë shumën prej 465 eurosh, në emër të rimbursimit të dëmit të shkaktuar në aksidentin e trafikut dhe atë në kamatë sipas mjeteve të deponuara në bankat afariste mbi një vit pa destinim të caktuar, duke llogaritur nga dita e ngritjes së padisë, e deri në pagesën përfundimtare, si dhe të paguajë shpenzimet e procedurës të caktuara nga gjykata, në afat prej 15 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit, nën kërcënimin e përmbarimit të dhunshëm. /BetimipërDrejtësi