Mungon përfaqësuesi i UP-së, shtyhet seanca për kontestin mbi marrëdhënien e punës

Raporton: Ronesa DRAGUSHA

Prishtinë- Mungesa e përfaqësuesit të së paditurës Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, u bë shkak që të shtyhet seanca ku A.A nga kjo e fundit po kërkon vërtetimin e ekzistimit të marrëdhënies së punës.

Në seancën e së mërkurës ka prezantuar përfaqësuesi i paditësit A., avokati Ekrem Agushi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi Dardan Kadolli në fillim të seancës ka bërë të ditur se përfaqësuesi të paditurës e ka pranuar fletëthirrjen, në mënyrë të rregullt mirëpo në fletëkthesë kë bërë konstatimin se me këtë datë gjendet në një seancë tjetër të caktuar më herët andaj ka propozuar shlyerjen e kësaj seance.

Pasi që avokati Agushi nuk e ka kundërshtuar propozimin e përfaqësuesit të UP-së, gjykatësi Kadolli ka konstatuar se shqyrtimi gjyqësor shtyhet.

Seanca e radhës u caktuar me 1 qershor.

Ndryshe sipas padisë së 7 dhjetorit 2017, A.A. ka paditur Univesitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, dhe po kërkon vërtetimin e ekzistimit të marrëdhënies së punës. Paditësi sipas vendimit  të 21 majit 2009 ishte caktuar në poziten e asistentit të ri te e paditura nga 1 tetori 2009 deri më 1 tetor 2012,

Sipas padisë, paditësi A. më pas ishte zgjedhur, në të njëjtën pozitë nga 28 shtatori 2012 deri më 28 shtatori 2015, kurse më pas nga data 18 nëntor 2015 paditësit i ishte vazhduar kontrata e punës në kohë të caktuar duke filluar prej 29 shtatorit 2015 e deri më 30 shtator 2016.

Tutje sipas padisë thuhet se të njëjtit i ishte vazhduar marrëdhënia punës për të njëjtën pozitë në kohë të caktuar nga 1 tetori 2016 deri më 30 shtator 2017.

Po ashtu sipas padisë thuhet se duke qenë se paditësi ishte zgjedhur e rizgjedhur në të njëjtën pozitë deri në datën 20 shtator 2017 ndërsa kjo pozitë si asistent akoma ekziston si e lirë, përkatësisht si e paplotësuar andaj bazuar në dispozitat e Kontratës Kolektive të Arsimit, i gëzon të gjitha të drejtat  dhe detyrimet në pozitën e asistentit të ri në Fakultetin Juridik-Katedra Civile.

Mbi këtë bazë paditësi po kërkon që të miratohet kërkesëpadia e paditësit dhe të detyrohet e paditura që në emër të pagesës së papaguar duke filluar prej 1 shtator 2017, paditësit t’ia paguaj shumën e cila do të precizohet në pajtim me ekspertizën financiare më kamatë 8% si dhe t’ia paguaj shpenzimet e procedurës./BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë