Mungon përfaqësuesi i prokurorisë dhe i akuzuari, sërish dështon gjykimi për lëndim të lehtë trupor

Foto 14.03.2019
Author

Raporton: Hajrije KRASNIQI

Mars 14, 2019

Malishevë – Të enjten, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, sërish nuk ka arritur që të mbahet seanca gjyqësore ndaj të akuzuarit për lëndim të lehtë trupor, Hajriz Foniqi.

Shkak i dështimit të këtij gjykimi, ka qenë mungesa e përfaqësuesit të prokurorisë dhe e të akuzuarit, Hajriz Foniqi.

Lidhur me mungesën e përfaqësuesit të prokurorisë, gjykatësi Lulzim Paçarizi, ka thënë se ka prova që organi i akuzës është ftuar në mënyrë të rregullt.

Kurse, sa i përket mungesës së të akuzuarit Foniqi, gjykatësi Paçarizi ka thënë se i akuzuari ka qenë i ftuar me detyrim dhe, sipas raportit të stacionit policor në Malishevë, i njëjti gjendet në qendrën e paraburgimit në Prishtinë.

Seanca e radhës është caktuar më 11 prill 2019, në ora 14:00.

Në këtë rast, kishte dështuar të mbahet, edhe seanca e paraparë për 26 shkurt 2019, për shkak të mungesës të të akuzuarit.

Prokuroria Themelore në Gjakovë, më 16 qershor 2016, ka ngritur aktakuzë ndaj, Hajriz Foniqi, i cili po akuzohet, se me 13 prill 2017, rreth orës 14:45, në hyrje të fshatit Llozicë, Komuna e Malishevës, përdor forcën ndaj të dëmtuari Artan Foniqi, me çka dhe i shkakton lëndime të lehta trupore.

Sipas aktakuzës pas disa mosmarrëveshjeve paraprake, lidhur me pretendimet e të dëmtuarit, se djali i të akuzuarit Hjariz Foniqi, i kishte marr  një qen, dhe se edhe i akuzuari kishte vjedhur disa kafshë në lagjen e tyre, dhe pas kësaj i akuzuari me mjet të rrezikshëm (brisk) e godet të dëmtuarin në krahun e majtë, me çka tehu i briskut thyhet dhe mbetet në krahun e të dëmtuarit.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i dëmtuari tenton të ik dhe futet në oborrin e Shefqet Buzhalës, por i akuzuari sërish e sulmon të dëmtuarin, dhe dëshmitari Buzhala dhe familjarët e tij  ndërhyjnë dhe e ndalin të akuzuarin.

Me këtë, i akuzuari Foniqi akuzohet se ka kryer veprën penale “lëndim i lehtë trupor” nga neni 188, paragraf 2, lidhur me paragrafin 1, të KPRK-së.  /Betimipërdrejtësi