Mungon përfaqësuesi i paditëseve, gjykata e konsideron të tërhequr padinë për dëmshpërblim

Foto e gjth (2)
Author

Raporton: Rita MAZREKAJ

Shkurt 23, 2021

Pejë- Gjykata Themelore në Pejë, të martën, e ka konsideruar të tërhequr padinë civile për dëmshpërblim, ku paditëset Shtefica dhe Robertina Berisha, kanë paditur kompaninë e sigurimeve ‘‘Illyria’’.

Një veprim i tillë u mor nga gjyqtarja Merita Baloku, pasi që në gjykimin e së martës, nuk është paraqitur përfaqësuesi i paditëseve, avokati Natal Bullakaj, raporton ‘‘Betimi për Drejtësi’’.

Sipas gjyqtares Baloku, avokati Bullakaj është ftuar në mënyrë të rregullt përmes postës elektronike, mirëpo mungesën nuk e ka arsyetuar.

Kurse përfaqësuesi i të paditurës, Agon Vuthi, i cili ishte prezent në gjykim, kërkoi nga gjykata që kjo padi të konsiderohet e tërhequr.

‘‘I propozoj gjykatës që padinë e paditëseve ta konsideroi të tërhequr, meqenëse përfaqësuesi nuk është lajmëruar në shqyrtimin kryesor dhe nuk e ka arsyetuar mungesën’’, ka propozuar përfaqësuesi Vuthi.

Më pas, gjyqtarja Baloku me aktvendim, e konsideroi të tërhequr padinë e paditëseve Shtefica dhe Robertina Berisha.

Ndryshe sipas padisë së ushtruar me 21 dhjetor 2017, Shtefica dhe Robertina Berisha kanë paditur kompaninë e sigurimeve ‘‘Illyria’’ dhe nga e njëjta kanë kërkuar dëmshpërblim, për shkak të vdekjes së djalin dhe vëllait të tyre, K. B., në aksidentin e trafikut, të shkaktuar me 28 janar 2017, në rrugën regjionale Istog-Pejë.

Në padi thuhet se në ditën kritike, shkaktuesi i aksidentit, e ka goditur këtu viktimën K., i cilin ishte këmbësor, ku më pas nga lëndimet e këtij aksidenti ka vdekur, andaj për këtë arsye paditëset i janë drejtuar këtu të paditurës për dëmshpërblim, dhe e njëjta iu ka ofruar vetëm 5 mijë e 250 euro, për çka këtu paditëset kanë qenë të pakënaqura me këtë shumë.

Tutje thuhet se paditëse për realizimin e kërkesës së tyre janë drejtuar me këtë padi në Gjykatën Themelore në Pejë, kurse shumën e dëmshpërblimit do ta precizojnë pas nxjerrjes së ekspertizave gjyqësore përkatëse. /BetimipërDrejtësi