Mungon përfaqësuesi i KEDS-it, shtyhet gjykimi ndaj të akuzuarit për vjedhje të rrymës

foto per web 26.01.2021
Author

Raporton: Albulena Huçaj

Janar 26, 2021

Dragash Mungesa e përfaqësuesit të KEDS-it, Bekim Parallangaj, u bë shkak i dështimit të seancës së paraparë për të martën, në Gjykatën Themelore në Prizren, dega në Dragash, për rastin Sehat Bahtijari po akuzohet për vjedhje të shërbimeve komunale.

Gjykatësja Sabaheta Kurteshi bëri të ditur se Parallangaj është ftuar në mënyrë të rregullt, mirëpo i njëjti tha se nuk e ka arsyetuar mungesën e tij, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e paraparë për të martën, edhe pse sipas gjykatëses Kurteshi janë ftuar në mënyrë të rregullt, nuk kanë prezantuar as dëshmitarët Granit Raqi dhe Veton Paloj.

Megjithatë, prezent në sallë të gjykimit kanë qenë prokurori Besim Susuri, i pandehuri Bahtijari dhe përfaqësuesi i tij, avokati Labinot Berisha.

Në këto rrethana, gjykimi për këtë rast pritet të vazhdoj më 1 mars 2021, në ora 10:00.

Sipas aktakuzës së ngritur me 10 shtator 2019, nga Prokuroria Themelore në Prizren, i pandehuri Sehat Bahtijari akuzohet se prej datës së pa vërtetuar e deri me datën 26 mars 2019, në fshatin Bellobrad të Komunës së Dragashit, në lokalin e tij, përfiton nga ndonjë shërbim komunal që furnizohet përmes rrjetit përçues të rrymës apo rrjetit të shpërndarjes, pa autorizim të furnizuesit të autorizuar.

Në aktakuzë thuhet se vepra ndodh në atë mënyrë që, i akuzuari, shfrytëzon energjinë elektrike në njehsor, i cili pllombat i ka të falsifikuara, në brendi numëruesi është i manipuluar, ka gjurmë të gërvishtjes së numrave në numërator, ashtu që energjia e shpenzuar nuk është regjistruar, me ç’rast ndërmarrjes së dëmtuar KEDS, Distrikti në Prizren, i shkakton dem material.

Me këto veprime, ai dyshohet se ka kryer veprën penale “vjedhja e shërbimeve komunale” e paraparë me nenin 320, paragrafi 1 të Kodit Penal të Kosovës. /BetimipërDrejtësi