Mungon për shkaqe shëndetësore zyrtari i QRA-së në Malishevë, shtyhet gjykimi për korrupsion

Raporton: Senad Lokaj

Gjakovë – Për shkak të mungesës për arsye shëndetësore të Besart Gashit, zyrtar i Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve (QRA) në Malishevë, ka dështuar të mbahet seanca fillestare ndaj tij për akuzat për korrupsion.

Gashi po ngarkohet se ka bërë shkelje ligjore në 623 raste të regjistrimeve të automjeteve, duke i shkaktuar dëm në vlerë prej 5,700 euro Komunës së Malishevës.

Gjykatësi Ilir Rashkaj, tha se mbrojtësja e të akuzuarit, Sahadete Gashi, përmes e-mailit e ka njoftuar gjykatën se i akuzuari nuk mund të paraqitet në seancë për shkaqe shëndetësore, të cilit ia ka bashkëngjitur edhe një raport mjekësor.

Sipas gjykatësit Rashkaj, në këtë seancë ka mungon edhe përfaqësuesi i Komunës së Malishevës, Mujë Sahitaj, i cili është ftuar në mënyrë të rregullt, mirëpo mungesën nuk e ka arsyetuar.

Në këto rrethana, në mungesë të kushteve ligjore për mbajtjen e seancës, e njëjta është shtyrë për 23 gusht 2022.

Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë thuhet se Besart Gashi, nga 22 gushti 2017 e deri më 15 dhjetor 2020, duke qenë në cilësi të personit zyrtar në Qendrën për Regjistrimin e Automjeteve në Komunën e Malishevës, me dashje, në mënyrë të kundërligjshme, dhe në kundërshtim me interesat dhe qëllimet e organit ku punon nuk përmbush detyrat e tij duke bërë shkeljen e udhëzimit administrativ Nr.01/2018 dhe 07/2019, saktësisht neneve 6 dhe 7.

Sipas aktakuzës, ashtu që në procedurën e regjistrimit të automjeteve për gjithsej 623 raste të regjistruara janë hasur parregullsi dhe shkelje ligjore, e që prej tyre 570 raste kanë rezultuar të jenë pa pagesë të taksës komunale, 43 raste të tjera janë hasur në parregullsi në kompletimin e dokumentacionit për patentë shofer dhe letërnjoftime, 5 raste të tjera me afat të skaduar të kontrollës teknike, 4 raste të tjera janë me regjistrime të reja e që në dokumentacion ka munguar libreza e vendit të origjinës së veturës, të cilat në tërësi janë të evidentuara tek pjesa e arsyetimit, me ç’rast Komunës së Malishevës i ka shkaktuar dëm në shumën prej 5,700 euro.

Me këto veprime, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal.

Tutje sipas aktakuzës, ai po akuzohet edhe se më 19 maj 2017, në QRA në Malishevë, në cilësi të personit zyrtar ka përpiluar dokument të falsifikuar me qëllim të shfrytëzimit të tij.

Sipas aktakuzës, në librezën e veturës “Polo VW”, në rubrikën e vërejtjes kishte shënuar se vetura posedonte xhama të errësuara, ku nga libreza e kësaj veture e cila ishte importuar nga Zvicra, me pronar Gezim Mazreku, dhe në dokumentet e QAK rezulton se vetura nuk i posedonte xhamat e pasme të errësuara, ndërsa në automjetin me numër të shasisë …591 i është bërë evidentimi në sistemin elektronik të automjeteve në rubrikën vërejtje: kinse automjeti posedon xhama të pasme të errësuara nga prodhuesi, për çka rezulton nga kopja e dokumentit  të CRA-së me nr.085013 dhe të pronarit tjetër të CRA-së 1002180.

Me këto veprime, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Falsifikim i dokumenteve” nga neni 398 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal./BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë