Mungon pala paditëse, konsiderohet e tërhequr padia për kompensim dëmi

Rast civil - Sali Skeraj kunder K.S. Sigal - 28.03.2018
Author

Raporton: Lutfi MORINA

Mars 28, 2018

Prizren – Padia civile e paditësit Sali Skerajt, kundër kompanisë së sigurimeve “Sigal” për kompensimin e dëmit të pësuar në aksident rrugor, të mërkurën, është konsideruar e tërhequr nga Gjykata Themelore në Prizren, sepse paditësi ka munguar në shqyrtim gjyqësor.

Gjyqtari i çështjes, Atdhe Berisha, ka konstatuar se në seancën e shqyrtimit gjyqësor, mungojnë palët ndërgjygjëse, megjithëse sipas tij, të njëjtit kanë qenë të njoftuar në mënyrë të rregullt për orarin e seancës.

Gjyqtari Berisha, ka marrë aktvendim me të cilin e ka konsideruar të tërhequr padinë e paditësit Skeraj, me arsyetim se i njëjti ka qenë i njoftuar në mënyrë të rregullt për orarin e seancës gjyqësore, ndërsa mungesën nuk e ka arsyetuar.

Ndryshe, ky rast zhvillohej në bazë të padisë civile, të ushtruar nga paditësi Sali Skeraj, me të cilën kërkonte nga kompania e sigurimeve “Sigal” kompensimin e dëmit të pësuar në aksident rrugor nga një automjet i siguruar te kjo kompani.

Sipas padisë, aksidenti rrugor ka ndodhur në gusht 2015, si pasojë e pakujdesisë së vozitësit të automjetit të siguruar te “Sigal”, i cili pa u siguruar se po rrezikon pjesëmarrësit tjerë në komunikacion, ka ndërmarrë veprim për t’u kthyer në të majtë, me ç’rast ka goditur motoçikletën e paditësit.

Në padi, thuhet se gjatë aksidentit, paditësi ka pësuar lëndime të rënda trupore, të cilat kanë ndikuar në zvogëlimin e aktivitetit të përgjithshëm jetësor, andaj në emër të të gjitha dëmeve të pësuara ka kërkuar kompensim në shumë prej 4 mijë euro.