Mungon paditësja konsiderohet e tërhequr padia për kompensimin e pagave për punët jashtë orarit, gjatë festave dhe fundjavave

29
Author

Raporton: Shqiponjë GASHI

Mars 12, 2020

Prishtinë – Mungesa e paditëses, Mimoza Bunjaku, ka bërë që të konsiderohet e tërhequr padia, me të cilën ajo po kërkon nga “VIP Passion” sh.p.k me seli në Prishtinë, kompensimin e pagave për punën e saj jashtë orarit, gjatë fundjavave, gjatë festave si dhe për punën e ditëve për shkak të mos shfrytëzimit të pushimit vjetor.

Gjykatësi i rastit, Bujar Dobërdolani, lidhur me mungesën e paditëses, ka deklaruar se përfaqësuesi i saj avokati Mentor Neziri, ftesën e kishte pranuar më 5 shkurt 2020, por ai mungesën e tij nuk e ka arsyetuar e as nuk ka kërkuar shtyrjen e seancës.

Ndërsa përfaqësuesi i të paditurës avokati Ekrem Agushi, i ka propozuar gjykatës që padia e paditëses të konsiderohet e tërhequr pasi, siç tha ai, përfaqësuesi i saj ishte ftuar në mënyrë të rregullt dhe mungesën e tij nuk e ka arsyetuar e as nuk ka kërkuar shtyerjen e seancës.

Ai po ashtu i ka kërkuar edhe shpenzimet e procedurës, për të cilat tha se do t’i specifikoj përmes një parashtrese të veçantë.

Gjykatësi Dobërdolani, pas propozimit të  përfaqësuesit te të paditurës, ka njoftuar se padia e paditëses Mimoza Bunjaku kundër të paditurës “VIP Passion” sh.p.k me seli në Prishtinë, konsiderohet e tërhequr.

Po ashtu ai e ka obliguar përfaqësusin e të paditurës Agushi, që brenda afatit prej pesë ditësh gjykatës t’ia dorëzoj parashtresën me specifikat e shpenzimeve të procedurës.

Ai ka deklaruar se palët ndërgjygjëse me kohë do të njoftohen me arsyetimin rreth këtij aktvendimi.

Sipas padisë së ushtruar më 8 qershor 2017, paditësja Mimoza Bunjaku, ka qenë e punësuar tek e paditura “VIP Passion” sh.p.k me seli në Prishtinë, nga 15 dhjetor 2009 deri më 28 janar 2017, ku ajo kishte lidhur kontratë me kohë të caktuar nga 1 janar 2012 deri më 1 janar 2015, e cila ka punuar si friere tek e paditura.

Në padi thuhet edhe pas skadimit të kontratës paditësja e kishte vazhduar punën tek e paditura në mënyrë të heshtur me të gjitha kushtet që janë pajtuar ku paditësja thuhet se kishte lidhur kontratë më 1 janar 2016, me pagë mujore sipas kësaj kontrate në vlerë prej 450 euro.

Sipas padisë e paditura nuk iu kishte përmbajtur kontratës në të cilën ishin të përcaktuara kushtet për orarin dhe pushimin ditor, javor dhe vjetor si dhe të drejtat dhe detyrimet tjera reciproke në mes të palëve, ku paditëses thuhet se nuk iu kishte mundësuar e drejta e shfrytëzimit të pushimin ditor, javor dhe vjetor, ku ajo kishte punuar edhe jashtë orarit të punës duke mos ia kompensuar orët shtesë si dhe pushimet, të cilat nuk i kishte shfrytëzuar.

Paditësja kishte kërkuar pushimin vjetor, të cilin e kishte shfrytëzuar nga 4 shtator 2016 deri më 15 shtator 2016, mirëpo asaj pas kthimit në punë iu kishte ndaluar nga rroga shuma prej 265 eurove, për shkak të këtij pushimi. Me këtë rast, paditësja iu kishte drejtuar më 10 maj 2017 Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, përkatësisht Inspektoriatit të Punës. Kjo e fundit, ia kishte aprovuar asaj ankesën, duke e obliguar të paditurën që paditëses t’ia kompensoj pushimin vjetor si dhe t’ia kompensoj orët e kaluara jashtë orarit të punës, gjatë ditëve të festave dhe gjatë fundjavës.

Siç thuhet në padi e paditura nuk e kishte respektuar këtë vendim, prandaj paditësja ka kërkuar nga gjykata që ta detyroj të paditurën që asaj t’ia bëjë kompensimin e pagave për punën e saj jashtë orarit, gjatë fundjavave, gjatë festave si dhe për punën e ditëve për shkak të mos shfrytëzimit të pushimit vjetor.