Mungon paditësi, konsiderohet e tërhequr padia për kontest pune e paraqitur në vitin 2003

Lavdim Bajraktari - Rasti Sherif Recica - 18.04.2018
Author

Raporton: Lavdim BAJRAKTARI

Prill 18, 2018

Prishtinë – Mos prezenca në seancë e paditësit Sherif Reçica, ka bërë që Gjykata Themelore në Prishtinë, ta konsideron si të tërhequr padinë e tij, të ushtruar ndaj industrisë së miellit dhe bukës “Mulliri” nga Fushë Kosova.

Reçica, me padinë e tij, të ushtruar qysh në vitin 2003, kërkonte nga e paditura kompensimin e të ardhurave në vlerë prej 600 eurosh.

Mirëpo, në seancën e së mërkurës, as paditësi Reçica, e as avokati i tij, Mehmet Llapjani nuk ishin të pranishëm.

Për këtë arsye, pasi që avokati Llapjani e ka pranuar ftesën për seancë më 9 mars 2018 dhe mungesën e tij nuk e ka arsyetuar, me propozim të përfaqësuesit të të paditurit, Rafet Ferizi, gjykatësja e rastit, Saranda Bogaj-Sheremeti, vendosi që padinë ta konsideron si të tërhequr.

Ndryshe, paditësi nuk kishte prezantuar as në dy seancat e kaluara të mbajtura për këtë rast.

Seanca e 6 marsit, ishte shtyrë pasi që paditësi nuk ishte ftuar me rregull nga gjykata, kurse seanca e 9 shkurtit ishte shtyrë me kërkesën e përfaqësuesit të paditësit, Mehmet Llapjanit, me arsyetimin se i njëjti gjendej jashtë vendit.

Padia e ushtruar nga ana e paditësit Sherif Reçica, ishte bërë më 31 korrik 2003, mirëpo e njëjta ishte pranuar në Gjykatën Komunale të Prishtinës, vetëm në maj të vitit 2004.

Në padi, thuhet se paditësi Sherif Reçica, kishte lidhur kontratë të punës me të paditurën në prill të vitit 2002, ku do të ushtronte punët e ngasësit të automjetit të kësaj firme, me orar të plotë të punës.

Për punën e bërë, paditësi do të paguhej nga e paditura në fund të çdo muaji, sipas koeficientit 2.52, mirëpo këtë obligim sipas padisë, e paditura nuk e kishte përmbushur edhe pas shumë kërkesave të bëra nga ana e paditësit.

Me këtë padi, paditësi Reçica, kërkon nga e paditura që t’ia kompensoi të ardhurat personale për periudhën nëntor 2002 deri më maj 2003, të cilat sipas padisë, e paditura nuk ia ka kompensuar paditësit.

Shumën të cilën Reçica po kërkon si kompensim nga e paditura është 600 euro, ndërsa më saktësisht në lidhje me shumën dhe kamatat ligjore, paditësi thotë se do të precizojë gjatë seancave gjyqësore.