Mungon pa dhënë arsye e akuzuara për kanosje, gjykata lëshon urdhëresë për sjelljen e saj me detyrim në seancë

kanosje
Author

Raporton: Avni BERISHA

Korrik 21, 2021

Rahovec – Mungesa pa arsye e të akuzuarës për kanosje, Albiona Fazliu, u bë shkak që të mos mbahet shqyrtimi fillestar i paraparë për të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Rahovec.

Sipas gjykatësit Ilir Rashkaj, e akuzuarës Fazliu ishte ftuar në mënyrë të rregullt për seancë, por mungesën e saj nuk e ka arsyetuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këto rrethana, gjykatësi njoftoi se ndaj të akuzuarës do të lëshohet urdhëresë për sjellje me detyrim për seancën e radhës, e cila u caktua të mbahet me 05 gusht 2021, në ora 10:30.

Prokuroria Themelore në Gjakovë, më 21 maj 2020, kishte ngritur aktakuzë ndaj Albiona Fazliut me arsyetimin se 05 shkurt 2020, rreth orës 20:00, në fshatin Vrajak të Rahovecit,  nëpërmjet rrjetit social “Snapchat” seriozisht i kanoset të dëmtuarit Egzon Morina.

Në aktakuzë thuhet se pas një mosmarrëveshje paraprake që kishte  e pandehura me të dëmtuarin të cilët më herët kishin qenë në lidhje dashurie, e pandehura vazhdimisht i kishte kërkuar të holla hua të dëmtuarit Egzon e të cilat e pandehura nuk ia kishte kthyer, e pasi që i dëmtuari kishte kërkuar nga e pandehura që t’ia kthejë të holla e marra nga ai, atëherë e pandehura Albiona përmes rrjetit social “Snapchat” e kanos seriozisht të dëmtuarin me fjalët “komet shkatrru kur tum vjen dita ka met shkatrru ty e krejt familjen maje men”.

Nga këto fjalë dhe veprime e pandehura, sipas aktakuzës, te tani i dëmtuari shkaktohet ankth, frikë dhe pasiguri për jetë.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Kanosja” nga neni 181, paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1  të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi