Mungon pa arsye njëri i akuzuar, shtyhet gjykimi për kërcënimin e të dëmtuarit me jetë   

Raporton: Adelina Ajeti

Gjilan – Për shkak të mungesës së të akuzuarit M.R., është shtyrë gjykimi i së enjtes në Gjykatën Themelore në Gjilan për kanosjen e të dëmtuarit.

Mungesën e të akuzuarit M.R., e ka konfirmuar gjyqtarja, Luljeta Shabani, e cila njoftoi se i njëjti ka qenë i ftuar në mënyrë të rregullt por mungesën e tij nuk e ka arsyetuar, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Prezent në shqyrtim gjyqësor ka qenë i akuzuari tjetër B.R, prokurorja, Rozelinda Manastiri si dhe i dëmtuari Sh.K.

Gjyqtarja Shabani njoftoi se ndaj të akuzuari M.R. do të lëshohet urdhëresa për sjellje të detyrueshme.

Në mungesë të kushteve ligjore, seanca është shtyrë me datë 15 shtator 2022.

Sipas aktakuzës, me 5 dhe 6 shkurt 2022, në Gjilan, me qëllim, me marrëveshje paraprake, e ka kërcënuar rëndë me fjalë dhe gjeste të dëmtuarin Sh.K nga Gjilani se do t’ia merrte jetën atij dhe familjes dhe t’i lëndonte.

Në aktakuzë thuhet se me datë 05.02.2022, i pandehuri i parë M.R në afërsi të shkollave të mesme, duke ecur nga ana e kundërt në drejtim të të dëmtuarit Sh. ka shkuar drejt e te i dëmtuari dhe kur i është afruar, e ka goditur të dëmtuarin Sh.K. me bërryl në zonën e djathtë të krahut dhe në atë mënyrë ka shkaktuar frikë dhe ankth tek i dëmtuari, e më pas i dëmtuari është larguar dhe ka vazhduar të lëvizë dhe pas një kohe të shkurtër ka arritur në rruga M.K, dhe kur e ka parë se i akuzuari B.R po vinte ta takonte, i dëmtuari u frikësua dhe donte t’i shmangej, u tërhoq anash për të mos pasur probleme, por i akuzuari B. shkoi drejt e te i dëmtuari dhe filloi duke bërtitur dhe duke  kercenuar me fjalët: “A don me te bë me keq se vellait tend A., t’i e di që do të hyj brenda dhe nga me i vogli e deri tek me i madhi mashkull i familjes tënde do ti vras mos me detyro aty ku nuk mund të dalësh”, duke aluduar në rastin e tentativës së vrasjes në vitin 2016 ku të dyshuarit në prezencë të policisë kanë therur me thikë vëllain e viktimës Sh.K., A.K.

Në aktakuzë thuhet se më 6 shkurt 2022, i dyshuari B.R. lidhur me ankesën që kishte ndaj familjes K, në prezencë të zyrtarëve policor gjatë seancës iu ka kërcënuar duke i thanë: “Është hera e fundit që e informojmë policinë për këtë rast, nëse policia nuk e zgjidh këtë problem, do ta zgjidhi vetë, sepse gjykata nuk po bënë asgjë për këtë çështje”, gjë që ka shkaktuar frikë dhe shqetësim tek i dëmtuari.

Me çka ka kryer veprën penale, Kanosje nga neni 181. par.2 lidhur me nenin 31 dhe 77 të KPRK, e dënueshme me gjobë ose me burgim deri në gjashtë (6) muaj. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personi i përmendur në këtë artikull konsiderohet i pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se është fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë