Prishtinë, Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të hënën, u shty seanca ndaj Halil Bajramit dhe Burim Zekaj,të akuzuar për veprën penale”keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”
Gjykatësi Faik Hoxha njoftoi se seanca nuk do të mbahet, pasi mbrojtësi i të akuzuarit Halil Bajrami, avokati Naser Peci e kishte njoftuar gjykatën se i mbrojturi i tij nuk ishte në gjendje të mirë shëndetësore.
Sipas aktakuzës së 28 marsit 2013, Halil Bajrami akuzohet se ka kryer veprën penale ”keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, i cili në pozitën e personit zyrtar si udhëheqës i politikave turistike dhe promocion turistik në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), nuk e ka përmbushur detyrën zyrtare si bartës i projektit ”Navigatori i qytetit”, në atë mënyrë që me qëllim të përfitimit kundërligjor për kompaninë “Ataq Consulting” nga Gjilani, që të njëjtës ia kishte mundësuar pagesën e tërësishme të shumës prej 113.013,00 euro nga kontata ”Furnizimi,instalimi dhe mirëmbajtja e pajisjeve për navigator të qytetit”, kontratë e datës 1 tetor 2008, përkundër faktit se kjo kompania ka përmbushur vetëm pjesërisht obligimin me furnizimin e MTI-së me pajisjet e parapara në kontratë, vlera e të cilave ishte në shumë prej 90.410,00 euro, nga e cila shumë kompania “Ataq Consulting” paraprakisht kishte pranuar në emër të avansit shumën prej 22.602,60 euro, që për pasojë ka pasur realizimin e përfitimit kundërligjor për të njëjtën kompani në shumën e njëjtë të cekur prej 22.602,60 në dëm të MTI-së.
Ndërsa Burim Zekaj, po ashtu i akuzuar për veprën penale ”keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, si person zyrtar në pozitën e menaxherit të prokurimit në MTI, nuk e ka përmbushur detyrën zyrtare në atë mënyrë që më 19 dhjetor 2008, ka lëshuar urdhër për pagesë me vlerë prej 90.410,00 euro për kompaninë “Ataq Consulting” nga Gjilani, të njëjtës paraprakisht më 17 tetor 2008, i është paguar avansi në shumën prej 22.602,60 euro, përkundër faktit se kjo kompani nuk i ka përmbushur të gjitha obligimet nga kontrata.
Seanca e ardhshme u caktua për 24 maj 2016, në ora 13:30.