Mungon njëri nga tre të akuzuarit, dështon gjykimi për mashtrim

20190516_093806-EFFECTS
Author

Raporton: Mirjeta PLAKIQI

Qershor 11, 2019

Drenas – Ka dështuar të mbahet seanca e së martës, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega në Drenas, ndaj të akuzuarve për mashtrim, Florim Imeri, Naim Berisha dhe  Besnik Gara.

Shkak për dështimin e seancës ka qenë mungesa e të akuzuarit Besnik Gara, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi i rastit, Shefqet Balci, ka njoftuar se më 17 korrik 2018, ka lëshuar urdhërarrest ndaj të akuzuarit Besnik Gara, por që nuk ka arritur të sigurohet prania e tij në seancën e së martës.

Seanca e radhës është caktuar më 3 korrik 2019, në ora 9:20.

Të pranishëm në seancë ishin prokurorja Nebahate Salihu, si dhe dy të akuzuarit e tjerë, Naim Berisha dhe Florim Imeri.

Ndryshe, në këtë çështje ka qenë i akuzuar dhe Mursel Metolli, i cili më 4 shtator 2018, ishte dënuar me katër muaj burgim me kusht dhe 300 euro gjobë, pasi që e kishte pranuar fajësinë lidhur me veprën që i vihet në barrë.

Pasi që Metolli e kishte pranuar fajësinë dhe ishte dënuar, procedura penale është veçuar ndaj të akuzuarve Florim Imeri, Naim Berisha dhe Besnik Gara.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 10 maj 2017, kishte ngritur aktakuzë ndaj Florim Imeri, Naim Berisha, Mursel Metolli dhe Besnik Gara.

Sipas aktakuzës, fillimisht i akuzuari Florim Imeri, në muajin korrik të vitit 2013, në Drenas me qëllim që vetit t’i sjell dobi pasurore në mënyrë të kundërligjshme, me anë të paraqitjes së rreme, duke i fshehur faktet dhe duke e shtyrë që të veprojë në dëm të pasurisë së tij e ka vënë në lajthim, tani të dëmtuarin Adem Hasi.

Siç thuhet në aktakuzë, nga Hasi ai kishte blerë një veturë “Kia Soreno”, në vlerë prej 4.000  euro, me afat pagese deri më 01 nëntor 2013, mirëpo pasi që i njëjti nuk e kishte përmbushur premtimin lidhur me borxhin, i akuzuari Florim Imeri së bashku me të akuzuarin Naim Berisha, me motive të njëjta i kishin premtuar të dëmtuarit që në vend të të hollave, borxhi të kompensohej me mobile, auto pjesë etj.

Sipas aktakuzës, pas kësaj i dëmtuari Adem Hasi, duke iu besuar të akuzuarve, kishte pranuar që në kompensim të borxhit që i kishte Florim Imeri, të blinte mobile tek salloni i mobilieve “Shala Decor”, i të akuzuarit Mursel Metolli.

Tutje, në aktakuzë thuhet se duke iu besuar të pandehurve, tani i dëmtuari Adem Hasi, kishte blerë mobile në vlerë prej 5.600 euro, duke paguar edhe shumën prej 1.600 euro, ku në rastin në fjalë ishte i inkuadruar edhe i pandehuri Besnik Gara, i cili me motive të njëjta, nga tani i dëmtuari Adem Hasi, kishte marrë 500 euro, mirëpo i dëmtuari asnjëherë nuk kishte marr mobilet dhe as të hollat që u kishte dhënë të akuzuarve.

Më këtë, ata akuzohen se kanë kryer veprën penale “mashtrim” nga neni 335 par.1 të Kodi Penal të  Republikë së Kosovës. /Betimipërdrejtësi