Mungon njëri nga të paditurit, shtyhet seanca për vërtetim pronësie në Viti

fotto per web 2
Author

Raporton: Genta PAJAZITI

Janar 13, 2020

Viti – Mungesa e të paditurit të parë Pero Jovanoviq, ka bërë që të dështojë mbajtja e seancës në çështjen civile, ku paditësi Sahit Shabiu, po kërkon nga të paditurit Pero Jovanoviq dhe Komuna e Vitisë, vërtetimin e pronësisë.

Gjykatësi i çështjes, Berat Spahiu, tha se përfaqësuesi i të paditurit Jovanoviq, Mirollad Moskiq, është ftuar me rregull, por sipas fletkthesës thuhet se i njëjti është shpërngulur, ndërsa i padituri Jovanoviq gjendet në Serbi.

Ndërkaq, në seancën përgatitore të së hënës, kanë prezantuar përfaqësuesit më autorizim të paditësit, vëllai i tij, Bejtush Shabiu dhe avokati Ekrem Pira, si dhe përfaqësuesi i të paditurës së dytë, Komuna e Vitisë, avokati publik, Ibrahim Ramadani.

Pasi që në mungesë të të paditurit të parë nuk ka kushte për t’u mbajtur kjo seancë, gjykatësi Spahiu me aktvendim seancën e radhës e ka caktuar për 29 qershor 2020, në ora 9:30, ku palët prezent janë njoftuar përmes procesverbalit, ndërsa i paditurit Jovanoviq, do të ftohet nëpërmjet ndihmës juridike ndërkombëtare në çështjet civile, përmes Ministrisë së Drejtësisë.

Ndryshe, paditësi Shabiu së bashku me padinë kishte bërë edhe propozimin për caktimin e masës së përkohshme të sigurisë

Sipas padisë së ushtruar më 17 gusht 2018, Sahit Shabiu, kërkon vërtetimin e së drejtës së pronësisë, sipas bazës juridike të shitblerjes dhe mbajtjes së ndërgjegjshme të paluajtshmërisë nr. 3461-16, sipërfaqe prej 500 m2, në vendin e quajtur “Rosulje Kabashka Utrina”, Zona Kadastrale Viti.

Gjithmonë sipas padisë, paditësi Shabiu, pretendon se, nga i padituri Jovanoviq, e ka blerë këtë paluajtshmëri, e cila evidentohen në emër të tij, të cilën e ka paguar dhe e ka përmbushur në tërësi çmimin kontraktues, dhe se që nga ajo kohë e deri me tani e posedon dhe e shfrytëzon, andaj kërkon nga gjykata që të aprovojë kërkesëpadinë e tij dhe të vërtetojë se i njëjti është pronar i kësaj ngastre. /Betimipërdrejtësi