Mungon njëri nga të akuzuarit, dështon gjykimin për korrupsion, krim të organizuar dhe kontrabandim me mallra

Raporton: Elsa KOLLQAKU

Prishtinë – Në mungesë të akuzuarit Xhemajl Ramushi ka dështuar të mbahet gjykimi ndaj tij, zyrtarëve policorë Hasip Kiki, Bekim Sylejmani dhe Samet Ballazhi si dhe 14 të akuzuarve tjerë, të cilët ngarkohen se duke bashkëvepruar si grup kriminal kishin kontrabanduar mallra nga Maqedonia e Veriut në Kosovë dhe anasjelltas.

Në këtë rast për krim të organizuar, kontrabandim me mallra, dhënie ryshfeti dhe për vepra të tjera penale po akuzohen Imer Azemi, Kadri Kurtishi, Bujar Loku, Ramadan Topojani, Tahir Curri, Kadri Kamberi, Nazmi Kalisi, Nexhat Gashi, Gani Shabani, Agron Krasniqi, Rrahman, Jonuz dhe Naser Ljamalari si dhe Izair Aliu, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me mungesën e të akuzuarit Ramushi, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Violeta Namani tha se pas kontaktimit me të, i njëjti ka informuar se ka harruar për seancën e sotme dhe se për momentin gjendej në Bujanoc dhe për të ardhur në gjykatë i nevojiten 3-4 orë.

Në këto rrethana, seanca e sotme u ndërpre dhe ajo e radhës pritet të mbahet më 8 korrik 2022.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 15 maj 2014, kishte ngritur aktakuzë ndaj zyrtarëve policorë Hasip Kikit, Bekim Sylejmanit dhe Samet Ballazhit dhe ndaj 15 të akuzuarve tjerë për veprat penale krim i organizuar, kontrabandim me mallra, keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, marrje e ryshfetit, dhënie e ryshfetit, shmangie nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore, shmangie nga tatimi dhe veprën penale kalimi i paautorizuar i vendkalimeve kufitare ose i vijës kufitare.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit në fillim të vitit 2011, kishin themeluar, organizuar, mbikëqyrur dhe drejtuar veprimtarinë e grupit kriminal, duke e ditur se pjesëmarrja e tillë do të kontribuojë në realizmin e veprimtarive kriminale të grupit, me qëllim të përfitimit të dobisë financiare.

Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit Imer Azemi dhe Kadri Kurtishi, kishin menaxhuar mallin me transport në Kosovë, Maqedoni dhe Serbi, pastaj e kishin organizuar shitblerjen e mallit, duke e marrë me qira, të cilin e kishin dërguar në kompanitë në Ferizaj dhe Prishtinë.

Ndërkaq, të akuzuarit Hasip Kiki, Bekim Sylejmani dhe Samet Ballazi në cilësinë e zyrtarëve policorë, thuhet se kishin keqpërdorur detyrën zyrtare duke iu mundësuar të akuzuarve që të veprojnë lirshëm, nga të cilët kishin marrë edhe ryshfet për këto shërbime.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Kiki si polic hetues në Policinë Kufitare- Zona e Lindjes në Kaçanik, kishte mbajtur komunikime të rregullta me të akuzuarin Bujar Loku, dhe më 1 nëntor 2012, gjatë bisedës telefonike më të, në vend që të akuzuarit Imer Azemi dhe Qerim Kurtishi të merren në pyetje në cilësinë e personave të dyshuar për shkak të kontrabandimit të mallit, ai i kishte mashtruar udhëheqësin dhe kolegun e tij, kinse prokurori kujdestar në Ferizaj, kishte urdhëruar që ata të dëgjohen në cilësinë e dëshmitarëve dhe pastaj të lirohen.

Ndërkaq, sipas prokurorisë, policët Bekim Sylejmani dhe Samet Ballazhi, iu kishin mundësuar të akuzuarve Kadri dhe Qerim Kurtishit si dhe Imer Azemit që të kontrabandojnë mallra nga Maqedonia në Kosovë dhe anasjelltas.

Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale, thuhet se të akuzuarit Imer Azemi, Kadri dhe Qerim Kurtishi prej vitit 2011 e deri në dhjetor 2013, kishin tejkaluar vijën kufitare mes Maqedonisë dhe Kosovës dhe anasjelltas, duke bartur mallra si: veshmbathje dhe duhan, duke shmangur kontrollin doganor, dhe të njëjtat i kishin shitur në firma të ndryshme në Ferizaj, Kaçanik, Han të Elezit dhe Prishtinë.

Prokuroria, zyrtarët policorë Hasip Kiki, Bekim Sylejmani dhe Samet Ballazhi i ngarkon me veprat penale të krimit të organizuar, keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe marrje të ryshfetit.

Të akuzuarit Imer Azemi dhe Kadri Kurtishi i ngarkon me veprat penale të krimit të organizuar, kontrabandës me mallra dhe shmangie nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore.

Të akuzuarit Bujar Loku, Ramadan Topojani, Tahir Curri, Kadri Kamberi, Nazmi Kalisi dhe Xhemajl Ramushi me krim te organizuar, kontrabandë me mallra, shmangie nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore, ndërsa Bujar Loku edhe për veprën penale dhënie e ryshfetit.

Të akuzuarit Nexhat Gashi, Gani Shabani dhe Agron Krasniqi ngarkohen me veprat penale kontrabandë me mallra dhe shmangie nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore, ndërsa së bashku me të akuzuarit Rrahman Ljamalari, Januz Ljamalari, Naser Ljamalari dhe Izair Aliu, për shmangie nga tatimi.

Ndërsa, të akuzuarit Kadri Kurtishi dhe Tahir Curri akuzohen edhe me veprën penale “kalimi i paautorizuar i vendkalimeve kufitare ose i vijës kufitare”.

Bashkë të akuzuar në këtë rast kishin qenë edhe Isuf Ljamalari, Bahtir dhe Bejtush Gashi, mirëpo ndaj tyre ishte veçuar procedura. /BetimipërDrejtësi

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë