Mungon njëri i akuzuar, shtyhet për herë të dhjetë gjykimi për korrupsion dhe ndotje, degradim e shkatërrim të mjedisit

Raporton: Denisa JASHARI

Ferizaj-Për shkak se i akuzuari Gentjan Sula mungoi për shkaqe shëndetësore, ka dështuar për të dhjetën herë me radhë shqyrtimi fillestar në Gjykatën Themelore në Ferizaj.

Në këtë rast, Dimitrije Raciceviq, Dragomir Millosavljeviq dhe Hysni Bajrami po akuzohen për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare”, kurse Naser Kelmendi, Arian Idrizaj, Gentjan Sula, Riad Hasani, Fatmir Grainca, Blerim Imeri, Sanije Geci dhe Labinot Vitia, ngarkohen për “Ndotje, degradim dhe shkatërrim të mjedisit”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësja Kadrije Goga-Lubishtani njoftoi se mbrojtësi i të akuzuarit Sula, avokati Editon Osmani, ka njoftuar gjykatën se i mbrojturi i tij Gentjan Sula për shkaqe shëndetësore nuk mund të jetë prezent në seancën e sotme.

Gjykatësja Goga-Lubishtani tha se avokati Osmani i ka dorëzuar gjykatës një parashtresë, ku ka bashkëngjitur dokumentet mjekësore për të akuzuarin Sula.

Avokati Osmani tha se gjendja shëndetësore e të akuzuarit Sulo, konsiderohet e rëndë dhe të njëjtit i është rekomanduar regjim shtrati.

“Ne kemi dërguar kërkesë të ripërsëritur për veçim të procedures, me qëllim që të mos zvarritet gjykimi edhe ndaj të pandehurve të tjerë, nëse gjykata nuk i fal besimin shkresave me dokumente mjekësore, atëherë të caktoj një ekspert mjekësor ex-officio”, ka thënë avokati Osmani.

Prokurori Rasim Maloku ka konsideruar se këto janë spekulime nga ana e të akuzuarit, për çka tha se nuk beson se këto pasoja janë shkaktuar nga një aksident i lehtë ndaj të cilit nuk kanë rrjedhur as dëme materiale.

“Lidhur me parashtresat e dorëzuara nga avokati në gjykatë, vlerësojmë se nuk kanë bazë juridike, propozoj që të gjitha shkresat që kanë të bëjnë me gjendjen shëndetësore të tani të akuzuarit Sulo, të dorëzuara në këtë gjykatë, të dërgohen në Institutin e Mjekësisë Ligjore të Kosovës, për të dhënë një ekzaminim në bazë të këtyre dokumentacioneve”, ka deklaruar prokurori Maloku.

Lidhur me propozimin e prokurorit, gjykatësja Goga-Lubishtani mori aktvendim në bazë të cilit urdhërohet që një ekspert nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Prishtinë të japë mendim dhe konstatim në bazë të dokumentacioneve, lidhur me natyrën dhe aftësitë e lëvizjes dhe gjendjen shëndetësore për tani të akuzuarin Gentjan Sulo.

Në këto rrethana, seanca u shty për kohë të pacaktuar.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Dimitrije Raciceviq akuzohet se nga viti 2014 e deri më 9 gusht 2019, në Shtërpcë, si person zyrtar-drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit, ka tejkaluar kompetencat me qëllim të përfitimit pasuror për personat tjerë, në atë mënyrë që ka lëshuar të paktën 20 leje ndërtimi në vikend-zonën e Brezovicës, në zonën e dytë të Parkut Kombëtar Sharri, ku ndërtimi është rreptësisht i ndaluar, në kundërshtim me Ligjin për Parkun Kombëtar Sharri.

Gjithashtu thuhet se ka lëshuar leje ndërtimore në zonën e tretë, për objektet hoteliere “Rezonanca”, “Rimida” dhe “Arena”, si dhe për vikend-shtëpiza për personat fizik Sanije Geci, Naser Kelmendi, Fatmir Grainca, Blerim Imeri, Riad Hasani, Labinot Vitija, Gentjan Sula, në kundërshtim me Planin Hapësinor të Parkut, Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Ligjin për Ujërat e Kosovës, të cilat ndërtime kanë degraduar ambientin në këtë zonë turistike si dhe kanë dëmtuar ujërat e Lumit “Murzhica”.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1 të KPRK-së.

Sipas dizpozitivit të dytë të aktakuzës, Dragomir Millosavljeviq dhe Hysni Bajrami akuzohen se nga viti 2014 e deri më 9 gusht 2019, në Shtërpcë, si persona zyrtarë-inspektorë komunal të ndërtimit, kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, duke mos i përmbushur detyrat e tyre zyrtare, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për tjetrin, në atë mënyrë që nuk kanë ndërmarrë veprimin për ndalimin e ndërtimit në vikend-zonën e Brezovicës, në zonën e dytë të Parkut Kombëtar Sharri, të 6 objekteve vikend-shtëpiza të pronarit Riad Hasani, për të cilat objekte ishin anuluar lejet e ndërtimit nga Drejtoria e Urbanizmit në Komunën e Shtërpcës.

Aktakuza thotë se ata nuk kanë ndërmarrë veprime për ndalimin e ndërtimit në zonën e tretë të Parkut të objektit vikend-shtëpizë të Sanije Gecit e cila kishte tejkaluar lejen ndërtimore, si dhe ka ndërtuar një pjesë të objektit mbi lumin “Murzhica” si dhe të aneks objektit të Dalibor Trifunoviqit, i cili kishte ndërtuar pa leje ndërtimore, të cilat ndërtime janë në kundërshtim me Planin Hapësinor të Parkut Kombëtar Sharri, Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Ligjin për Ujërat në Kosovë, të cilat kanë degraduar mjedisin dhe kanë dëmtuar ujërat e lumit “Murzhica”.

Me këtë, ata akuzohen se secili veç e veç ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1 të KPRK-së.

Tutje sipas aktakuzës, Gentjan Sula akuzohet se nga viti 2012, në zonë turistike të Parku Kombëtar “Sharri” në Brezovicë, Komuna e Shtërpcës, si person përgjegjës – investitor i ndërmarrjes “Stela Consulting” SHPK me seli në Prishtinë, ka degraduar ambientin dhe ujërat e lumit “Murrzhica”, në atë mënyrë që ka kontraktuar kryesit e punëve “Quka CO” me pronar Alban Quka, ndërtimin e 22 vikend-shtëpizave, duke bërë gërmime dhe prerje të pyjeve në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Ligjin mbi Pyjet, si dhe të objektit hotelier disa katësh – 2B+p+2+NK, në kundërshtim me Planin Hapësinor të Parkut Kombëtar “Sharri” kapitulli V, si dhe të Ligjin për Ujërat e Kosovës, duke ndërtuar në afërsi dhe mbi lumin “Murzhica”, me çka është degraduar ambienti në këtë pjesë të parkut si dhe është dëmtuar lumi “Murzhica”.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Ndotja, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit”, nga neni 347, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 5 të KPRK-së.

Naser Kelmendi akuzohet se nga viti 2014, në zonën turistike te Parku Kombëtar “Sharri” në Brezovicë, Komuna e Shtërpcës, ka degraduar mjedisin duke rrezikuar pasuritë e mbrojtura natyrore, në atë mënyrë që si person përgjegjës i ndërmarrjes “Nic Holding” dhe parcelave kadastrale nr.6818/26, 6419/35, 6380/1, 6962/1, 6419/20 dhe 6419/34 ZK Verbeshticë, ka ndërtuar objekte banesore vikend-shtëpiza, si fshat turistik, pa pëlqim mjedisor dhe pëlqim të ujërave në afërsi të lumit “Murzhica”, në kundërshtim me Planin Hapësinor të Parkut Kombëtar “Sharri”, si dhe të Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Ligjin për Ujërat e Kosovës, duke dëmtuar drunjtë, tokën dhe ujin, të cilat vikend shtëpiza pastaj ia ka shitur personave fizik.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Ndotja, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit”, nga neni 347, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 5 të KPRK-së.

Arian Idrizaj akuzohet se nga fundi i vitit 2010, në zonë turistike të Parkut Kombëtar “Sharri” në Brezovicë, Komuna e Shtërpcës, ka degraduar mjedisin duke rrezikuar pasuritë e mbrojtura natyrore, në atë mënyrë që si person i autorizuar i investitorit UMSH “Rezonanca” në Prishtinë, në ngastrën kadastrale numër 6382/2 ZK Shtërpcë, e cila gjendet në zonën e tretë të Parkut, përmes firmës ndërtimore PRO ARK, ka filluar ndërtimin e objektit afarist, duke vazhduar me aneks ndërtimin në vitin 2011 si dhe mbindërtimin në vitin 2014, duke ndërtuar objektin shumëkatësh 2B+P+4+NK, pa pëlqimin e MMPH-së për vlerësimin e ndikimit një mjedis dhe vlerësimin strategjik mjedisor, duke dëmtuar drunjtë dhe tokën, në kundërshtim me planin hapësinor të Parkut Kombëtar “Sharri” dhe Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Ndotja, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit”, nga neni 347, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 5 të KPRK-së.

Tutje, Labinot Vitija akuzohet se nga viti 2012, në zonën turistike të Parkut Kombëtar Sharri në Brezovicë, ka degraduar mjedisin, duke rrezikuar pasuritë e mbrojtura natyrore, në atë mënyrë që si pronar i parcelës kadastrale numër 5713/6, ka ndërtuar 5 vikend-shtëpiza në zonën e dytë dhe të tretë të parkut, në kundërshtim me Ligjin për Parkun Kombëtar “Sharri”, si dhe një objekt hotelier WOODLAND disa katësh, pa leje ndërtimi, në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Ndotja, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit”, nga neni 347, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 5 të KPRK-së.

Fatmir Grainca akuzohet nga prokuroria se gjatë vitit 2018, në zonë turistike të Parkut Kombëtar “Sharri” në Brezovicë, Komuna e Shtërpcës, ka degraduar mjedisin duke rrezikuar pasuritë e mbrojtura natyrore, në atë mënyrë që si pronar i parcelës kadastrale numër 5602/1ZK Shtërpcë, përmes ndërmarrjes ndërtimore “Dushi” ka filluar ndërtimin e objektit banesor B+P+NK, në zonën e tretë të parkut, në afërsi të lumit, kurse skaji tjetër në afërsi prej 1 metër, i cili objekt është në kundërshtim me Planin Hapësinor të Parkut Kombëtar “Sharri”, Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Ligjin për Ujërat e Kosovës.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Ndotja, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit”, nga neni 347, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 5 të KPRK-së.

Blerim Imeraj akuzohet se nga viti 2016, në zonën turistike të Parkut Kombëtar “Sharri” në Brezovicë, Komuna e Shtërpcës, ka degraduar mjedisin duke rrezikuar pasuritë e mbrojtura natyrore, në atë mënyrë që si pronar i parcelës kadastrale në sipërfaqe prej 30 ari ZK Verbeshticë, ka kontraktuar ndërtimin e disa vikend-shtëpizave me ndërmarrjen ndërtimore “Quka – CO”, në kundërshtim me Planin Hapësinor të Parkut Kombëtar “Sharri”, Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Ligjin për Ujërat e Kosovës, të cilat vikend-shtëpiza ia ka shitur personave fizik.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Ndotja, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit”, nga neni 347, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 5 të KPRK-së.

Sanije Geci akuzohet në fillim të vitit 2016, në zonë turistike të Parkut Kombëtar “Sharri” në Brezovicë, Komuna e Shtërpcës, ka degraduar mjedisin duke rrezikuar pasuritë e mbrojtura natyrore, në atë mënyrë që si pronare e parcelës kadastrale nr.5799/16 dhe 5799/17, ka filluar ndërtimin e objektit banesor – vikend shtëpizë B+P+1+NK, me sipërfaqe prej 835.14 m2 , kurse gjatë ndërtimit ka ndërruar destinimin e objektit në objekt hotelier “Kaona Hotel”, duke ndërtuar pa leje aneks objekt, në afërsi të lumit “Murrzhica” në distancë 1.90 m.

Kurse, thuhet se një pjesë e objektit në pronën ujore prej 2,95 m, me një sipërfaqe të përgjithshme të objektit prej 1821.56 m2, i cili ndërtim është në kundërshtim me Planin Hapësinor të Parkut Kombëtar “Sharri”, Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Ligjin për Ujërat e Kosovës.

Me këtë, ajo akuzohet se ka kryer veprën penale “Ndotja, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit”, nga neni 347, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 5 të KPRK-së.

Në dispozitivin e fundit të aktakuzës, Riad Hasani akuzohet se nga 24 korriku 2017 e deri në fund të vitit 2018, në zonë turistike të Parkut Kombëtar “Sharri” në Brezovicë, Komuna e Shtërpcës, ka degraduar mjedisin duke rrezikuar pasuritë e mbrojtura natyrore, në atë mënyrë që si pronar i parcelës kadastrale nr.5713 në sipërfaqe prej 1 hektar e 32 m2 , përmes firmës ndërtimore “Quka CO” ka ndërtuar 6 vikend shtëpiza në zonën e dytë të parkut edhe pse lejet ndërtimore ishin anuluar sipas vendimit të Drejtorisë për Planifikim, Rindërtim, Urbanizëm dhe Mbrojtje të Ambientit në Komunën e Shtërpcës, të 24 korrikut 2017, si dhe ka ndërtuar objektin afarist – hotelier “Rimida” – B+P+4+NK, në kundërshtim me Planin Hapësinor të Parkut Kombëtar “Sharri”, si dhe Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Ndotja, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit” nga neni 347 par.1 lidhur me par.5 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi

 Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë