Mungon njëri i akuzuar dhe mbrojtësi i tij, shtyhet seanca për vjedhje pylli

46491956_364045597497753_6407473632284508160_n (1)
Author

Raporton: Blerim JAKUPI

Dhjetor 5, 2018

Kamenicë – Ka dështuar të mbahet seanca fillestare ndaj të akuzuarve për vjedhje pylli, Bashkim Isufi dhe Rrustem Jerliu, e paraparë për të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Gjilan, dega në Kamenicë.

Shkak i mos mbajtjes së këtij shqyrtimi fillestar ishte mungesa e të akuzuarit Jerliu, si dhe mbrojtësit të tij me autorizim, avokatit Ymer Huruglica, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësja e rastit, Valbonë Dërvodeli, njoftoi se mbrojtësi i të akuzuarit Rrustem Jerliu, avokati Huruglica, me një parashtresë, paraprakisht kishte kërkuar nga gjykata shtyrjen e kësaj seance, pasi që në të njëjtën kohë ka të treguar se ka një seancë tjetër në civile, në Gjykatën Themelore në Gjilan, dega në Viti, me çka kësaj parashtrese i kishte bashkëngjitur edhe procesverbalin e seancës përgatitore të 24 tetorit të këtij viti.

Ndryshe, prezent në gjykatore ishte i akuzuari tjetër Bashkim Isufi, dhe prokurori Esat Ademi.

Gjykatësja Dërvodeli, seancën e radhës e caktoi më 26 dhjetor 2018, në ora 14:00, ku palët prezente u njoftuar gojarisht për kohën e mbajtjes së saj, ndërsa me ftesa të rregullta gjyqësore do të ftohen i akuzuari Rrustem Jerliu, dhe mbrojtësi i tij, avokati Ymer Huruglica.

Prokuroria Themelore në Gjilan, më 19 shtator 2016, ka ngritur aktakuzë ndaj tashmë të akuzuarve Bashkim Isufi dhe Rrustem Jerliu, të cilët dyshohen se më 24 gusht 2016, rreth orës 10:00, në territorin e fshatit Gjyrishevc të Kamenicës, në vendin e quajtur “Par 34”, me qëllim vjedhje në pyllin e pronësisë shoqërore, administruar nga Agjencia Pyjore e Kosovës, zyra në Kamenicë, të njëjtit me sharrë motorike kanë prerë 24 copa trungje të llojit “Ah”.

Tutje, në aktin akuzues pretendohet se të akuzuarit Isufi dhe Jerliu, i kanë shkaktuar APK-së, zyrës në Kamenicë, dëme në vlerë prej 3,438.28 euro.

Me këtë, Bashkim Isufi dhe Rrustem Jerliu, akuzohen se në bashkëkryerje se kanë kryer veprën penale “vjedhje pylli”, nga neni 358 paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). /Betimipërdrejtësi.