Mungon njëri i akuzuar, dështon gjykimi në rastin ku dyshohet se nga Belgjika përmes postës ishin dërguar narkotikë

unnamed
Author

Raporton: Sabina PERGEGA

Qershor 11, 2019

Prishtinë – Të martën, ishte paraparë të mbahet shqyrtimi i dytë, në rastin ndaj Visar Merlakut dhe Adem Sertollit, të cilët akuzohen se nga Belgjika u ishin dërguar rreth 30 gramë narkotikë, përmes postës.

Për këto veprime, ato po ngarkohen me veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Naser Foniqi, njoftoi se kërkesë për hudhje të aktakuzës kishte paraqitur vetëm i akuzuari Merlaku, për të cilën kërkesë ishte përgjigjur edhe prokuroria.

Ndërsa, pasi i akuzuari Sertolli nuk kishte parashtruar kërkesë hudhje të aktakuzës, gjykata kishte caktuar seancën e së martës në mënyrë që atij t’i jepet mundësia që gojarisht të kundërshtojë aktakuzën.

Për këtë arsye, Foniqi njoftoi prokuroren Shemsie Asllani dhe të akuzuarin Merlaku se lidhur me konfirmimin ose hudhjen e aktakuzës do të vendos jashtë seance, për të cilin vendim, sipas tij, ata do të njoftohen me shkrim.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, aktakuzën ndaj Visar Merlakut dhe Adem Sertollit e kishte përpiluar me 13 mars 2019, për shkak të veprës penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Sipas aktakuzës, më 9 mars 2018, zyrtarët policorë të Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN), në Prishtinë, kishin marrë informatë nga zyra për Zhdoganimin Postar në Prishtinë, se një dërgesë postare me substancë narkotike kishte arritur nga Belgjika në emër të të akuzuarit Merlaku.

Sipas aktakuzës, për të njëjtën dërgesë ishte interesuar edhe i akuzuarit Sertolli, i cili kishte kërkuar shërbim nga një zyrtar i stafit të zyrës për zhdoganim postar, të cilit ia kishte ofruar 100 euro në këmbim të kësaj dërgesë, të cilën zyrtari i postës doganore e kishte refuzuar.

Në aktakuzë thuhet se kur ishte bërë ekzaminimi kishte rezultuar se në pako kishte tri qese të vogla, njëra me peshë 13 gramë kokainë, njëra 13 gramë, e dyshuar si kokainë dhe një qese 12 gramë të dyshuar ekstazi.

Prokuroria dy të akuzuarit, i ngarkon me veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, nga neni 273 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /Betimipërdrejtësi