Mungon njëri i akuzuar, dështon gjykimi ndaj tij dhe tetë të tjerëve për kontrabandim me migrantë

Raporton: Sabina PERGEGA

Prishtinë – Për shkak të mungesës së të akuzuarit Xhavit Fejzullahu, ka dështuar të mbahet gjykimi ndaj tij dhe tetë të akuzuarve të tjerë për kontrabandim të shtetasve kosovarë.

Në këtë rast, Fejzullahu bashkë me Sadat Muratin, Avdyl Kastratin, Albert Bulliqin, Haki Malokun, Denis Sadriajn, Bekim Zeqirin, Bratisllav Dasic dhe Bashkim Hasanin, akuzohen se kishin dërguar migrantë në mënyrë ilegale përmes Serbisë dhe Hungarisë në vendet e ndryshme të Evropës, duke përfituar nga ta shuma deri në 3 mijë euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica ka njoftuar se për gjendjen shëndetësore të të akuzuarit Fejzullaku kishte kërkuar mendim nga mjekët e Klinikës së Kirurgjisë Vaskulare.

Por sipas saj, shefi i këtij repartit, Blerim Olluri e kishte njoftuar gjykatën përmes e-mailit se i njëjti nuk kishte shkuar në kontrollë.

Sipas gjykatëses Krasniqi-Jashanica, Olluri kishte njoftuar se kishte kontaktuar djalin e pacientit dhe i njëjti e kishte informuar se gjendja e të akuzuarit Fejzullahu ishte rënduar, prandaj i njëjti nuk ka mundur të shkojë në kontrollë.

Për këtë arsye, sipas saj, nuk është dhënë një konstatim nga ana e mjekëve për gjendjen shëndetësore të të akuzuarit Fejzullahu, e që sipas gjykatëses Krasniqi-Jashanica, pa mendimin e mjekëve nuk mund të bëhet veçimi i procedurës ndaj Fejzullahut.

Në këto rrethana, seanca u shty dhe e radhës pritet të mbahet më 24 shkurt 2022.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 29 gusht 2013, Sadat Murati, Avdyl Kastrati, Haki Maloku dhe Denis Sadriaj nga qershori 2011 e deri më 5 shkurt 2013, duke vepruar në kuadër të grupit të organizuar dhe të strukturuar, me qëllim të përfitimeve të dobisë pasurore financiare, kanë kontrabanduar shtetas të Republikës së Kosovës.

Siç pretendon prokuroria, të njëjtit i kishin gjetur migrantët që kanë qenë të interesuar të shkojnë në vende të ndryshme të Evropës, pastaj ishin marrë vesh për çmimin që duhej të paguanin migrantët, që arrinte shumën deri në 3 mijë euro për person.

Pastaj thuhet se migrantët, në mënyrë ilegale, përmes personave të ndryshëm në Serbi, i kanë dërguar përmes Serbisë dhe Hungarisë në vendet e ndryshme të Evropës.

Në mesin e tyre, katër migrantë i kishte gjetur Abdyl Kastrati, 4 migrantë i akuzuari Haki Maloku, e po ashtu 4 migrantë i kishte gjetur Sadat Murati, e pastaj në bashkëpunim me Denis Sadriajn ua kishte falsifikuar dokumentet.

Për veprime të ngjashme në të njëjtën kohë, me veprën penale të krimit të organizuar lidhur me kontrabandim me njerëz por të mbetur në tentativë, prokuroria ka ngarkuar të akuzuarit tjerë, Albert Bulliqi, Bekim Zeqiri, Bratisllav Dasic, Bashkim Hasani dhe Xhavit Fejzullahu.

Siç thuhet në aktakuzën e prokurorisë, ky grup ka vepruar në dy grupe të ndara, e në grupin e dytë, kanë qenë të përfshirë edhe katër të akuzuarit e parë.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), në këtë aktakuzë e ka përfshirë edhe Arife Loxhën, ndaj të cilës është arritur parashkrimi i ndjekjes penale.

Ajo akuzohej se duke kryer detyrën e saj si zyrtare për letërnjoftima dhe pasaporta në zyrën e Ministrisë së Punëve të Brendshme, në Komunën e Mitrovicës, ka marrë ryshfet nga i akuzuari Bashkim Hasani.

Sipas prokurorisë Loxha, nga data e pavërtetuar e deri më 6 shkurt 2013, ka marrë para për vete dhe të akuzuarin Bashkim Hasani si dhe ka pranuar premtimin për dhënie të parave nga ai për të kryer në kuadër të autorizimeve të saj veprime zyrtare apo veprime tjera, të cilat ajo nuk duhej t’i kryente.

Në aktakuzë thuhet se ajo ishte marrë vesh me të akuzuarin Hasani, ua kishte rregulluar dokumentacionet personave të ndryshëm dhe për këto veprime ka pranuar para për vete deri në 400 euro për një rast, duke i mundësuar përfitim financiar të akuzuarit Hasani, po ashtu deri në 400 euro për një rast.

Me këtë, i akuzuari Hasani, po ngarkohet me veprën penale “Dhënia e ryshfetit”.

Ndërkaq, i akuzuari Bratislav Dasic, sipas prokurorisë, nga data e pacaktuar e deri më 26 shkurt 2013, u ka dhënë ndihmë juridike pa autorizim disa personave, të cilëve u ka rregulluar dokumentacione dhe i ka përfaqësuar para organeve të Serbisë, duke u kërkuar pagesë deri në 1 mijë e 200 – 3 mijë euro, për të nxjerrë në emrin e tyre dokumente si certifikata të lindjes, letërnjoftime, pasaporta apo dokumente për marrjen e nënshtetësisë së Serbisë.

Albert Bulliqi me këtë aktakuzë është akuzuar edhe me veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll, në posedim ose në shfrytëzim të paautorizuar të armëve”, por prokurori për këtë vepër ka hequr dorë pasi është përfshirë në Ligjin për Amnistinë. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë