Mungon njëri avokat dhe përfaqësuesja e komunës, shtyhet sërish rigjykimi për korrupsion ndaj drejtorit të urbanizmit në Gjakovë

Raporton: Senad Lokaj

Gjakovë – Për shkak të mungesës për shkaqe shëndetësore të avokatit Granit Vokshi dhe mungesës pa arsye të përfaqësuese së Komunës së Gjakovës, Vjollca Shyti, ka dështuar të nis për herë të dytë radhazi rigjykimi, në rastin ku Arben Bakalli, drejtor i urbanizmit në Komunën e Gjakovës, si dhe Agron Gojani, ish-arkitekt, tash bashkëpunëtor profesional në këtë drejtori, po akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Gojani po akuzohet se kishte aprovuar kërkesën për kushte ndërtimore, ndërsa Bakalli se e ka nënshkruar dhe lëshuar vendimin për të ndërtuar në kompleksin “Orize” në Gjakovë, në kundërshtim me planin urbanistik, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Ilir Rashkaj, tha se mbrojtësi i të akuzuarit Gojani, avokati Granit Vokshi përmes një parashtrese ka kërkuar që kjo seancë të shtyhet, meqenëse i njëjti nuk ka mundësi të jetë prezent në seancë për shkaqe shëndetësore.

Ndërsa, për përfaqësuesen e Komunës së Gjakovë, tha se e njëjta ka qenë e ftuar për këtë seancë, mirëpo mungesën e saj nuk e ka arsyetuar.

I akuzuari Gojani kërkoi që kjo seancë të shtyhet për shkak se nuk mund të jetë prezent avokati i tij për shkaqe shëndetësore dhe se ai dëshiron që të jetë i pranishëm mbrojtësi i tij me qëllim të përgatitjes sa më të mirë të mbrojtjes.

Në këto rrethana, kjo seancë është shtyrë për 13 korrik 2022.

Ndryshe, më 1 qershor 2021, Gjykata Themelore në Gjakovë e kishte dënuar me 1 vit e 3 muaj burgim dhe 3 mijë euro gjobë Arben Bakallin, për keqpërdorim detyre. Për veprën e njëjtë, Agron Gojani, ishte dënuar me 1 vit burgim dhe 2 mijë euro gjobë.

Ndaj të akuzuarve ishte shqiptuar edhe dënimi plotësues, ashtu që të dyve u ishte ndaluar ushtrimi i funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 2 vitesh, pas vuajtjes së dënimeve.

Mirëpo, më pas Gjykata e Apelit, e ka anuluar këtë aktgjykim dhe rastin e ka kthyer në rigjykim, me arsyetimin se aktgjykimi i shkallës së parë është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe se si i tillë ndikon edhe në vërtetimin e gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, e ngritur më 18 qershor 2020, Agron Gojani akuzohet se më 12 shkurt 2018, në cilësinë e personit zyrtar, arkitekt në Drejtorinë për Urbanizëm në Komunën e Gjakovës, kishte keqpërdorur detyrën e tij zyrtare, duke tejkaluar kompetencat e tij me qëllim që t’i sillte dobi pasurore Teuta Bakijës, si dhe t’i shkaktonte dëm Komunës së Gjakovës.

Sipas aktakuzës, ai këtë e kishte bërë në atë mënyrë që duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Ndërtim dhe Udhëzimin Administrativ 06/2017, me të cilin edhe pse paraprakisht i kërkohej bashkimi i parcelave para fillimit të procedurave për leje ndërtimi, i akuzuari kishte aprovuar kërkesën për kushte ndërtimore, duke lëshuar vendim me të cilin kishte aprovuar kërkesën për ndërtimin e objektit kolektiv me etazhitet B+P+8+KSH në gjashtë parcela kadastrale të familjes Bakija, në kundërshtim me planin urbanistik “Revidimi i Kompleksit Orize1/18 Gjakovë” të miratuar nga Kuvendi Komunal në Gjakovë. Aty thuhet se zona në fjalë, sipas projektit të komunës, ishte e paraparë të jetë zonë gjelbëruese gjatë gjithë segmentit rrugor deri tek tyrbja “Shën Shefqeti”.

Për këtë, Gojani akuzohet për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1, pika 2.1 të Kodit Penal.

Arben Bakalli akuzohet se më 12 shkurt 2018, në cilësinë e drejtorit në Drejtorinë për Urbanizëm Gjakovës kishte keqpërdorur detyrën e tij zyrtare, duke tejkaluar kompetencat e tij me qëllim që t’i sillte dobi pasurore Teuta Bakijës, si dhe t’i shkaktonte dëm Komunës së Gjakovës.

Sipas aktakuzës, ai këtë e kishte bërë në atë mënyrë që duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Ndërtim, pasi kishte nënshkruar vendim mbi kushtet ndërtimore sipas kërkesës së 29 dhjetorit 2017 për ndërtimin e objektit kolektiv të lartcekur, më 28 mars 2018 kishte lëshuar vendimin për leje ndërtimore në kundërshtim me planin urbanistik.

Për këtë, ai akuzohet për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi. 1, pika 2.1 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë