Mungon njëra nga kundërshtarët e masës, shtyhet seanca ku propozuesja po kërkon sigurimin e parcelës që BKT ia shiti në emër të hipotekës

Raporton: Hajrije Krasniqi

Malishevë – Në mungesë të kundërshtares së masës Shkurte Hoti, ka dështuar seanca e së premtes në Gjykatën Themelore Gjakovë, dega në Malishevë, në rastin ku propozuesja e masës së sigurisë Fatime Morina përmes propozimit po kërkon nga kundërshtarët e masës Ilaz dhe Shkurte Hoti të mos marrin asnjë veprim mbi parcelën derisa të vendoset çështja meritore.

Për këtë çështje me datën 17 dhjetor 2021, është ushtruar edhe padi nga paditësja Fatime Morina, e cila ka kërkuar nga gjykata që të anulohet kontrata e shitblerjes në mes të paditurve Banka Kombëtare Tregtare dhe të paditurve Ilaz dhe Shkurte Hoti, me arsyetimin se paditësja ka të drejtën ligjore në përparësi të blerjes.

Lidhur me mungesën e kundërshtares së masës Shkurte Hoti, gjyqtari i rastit Nehat Qelaj, ka konstatuar se e njëjta është ftuar nga gjykata, mirëpo nga shërbimi postar ftesa është kthyer me konstatimin se pala nuk mund të kontaktohet , raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Konstatohet se për shkak se Shkurte Hotit nuk është arritur t’i dorëzohet ftesa, e njëjta edhe nuk është ftuar në mënyrë të rregullt”, tha gjyqtari Qelaj.

E autorizuara e propozueses, avokatja Bahrije Xhyliqi deklaroi se nuk ka adresë tjetër për kundërshtaren Shkurte Hoti, dhe propozoi gjykatës që e njëjta të thirret në të njëjtën adresë, dhe në rast se gjendet ndonjë adresë më të saktë e njëjta do ta njoftoj gjykatën.

Ndërsa i autorizuari i kundërshtarit të masës Ilaz Hoti, avokati Besnik Berisha ka deklaruar se disponon propozimin për sigurimin e masës, ndërsa nuk i disponon provat dhe as padinë.

Në mungesë të kushteve ligjore, seanca shtyhet për datën 26 prill 2022.

Ndryshe me propozimin për lejimin e masës së sigurimit të datës 15 tetor 2021, thuhet se propozuesja e masës së sigurimit Fatime Morina së bashku me bashkëshortin  e saj  Elmi Morina kanë lidhur marrëveshjen për kredinë me Bankën Kombëtare Tregtare, dhe kredia është siguruar me dhe në hipotekë kanë paraqitur parcelën kadastrale me sipërfaqe prej 3500m2,në vendi  e quajtur “Gërmiza-te shkolla” në zonën kadastrale Malishevë, në të cilën parcelë propozuesja ka qenë  bashkëpronare me ½ e pjesës së sajë  të pasurisë së përbashkët me bashkëshortin.

Sipas propozimit për masë të sigurisë pa dijeninë e propozueses Fatime Morina, me datën 29.09.2021, Banka Kombëtare Tregtare, në Kosovë, kishte shitur me kontrate të shitblerjes parcelën e lënë në hipotekë, dhe  e njëjta kishte kaluar  në emër të kundërshtarët e masës së sigurimit Ilaz dhe Shkurte Hoti.

Ndërsa, propozuesja lidhur me çështjen kryesore po kërkon nga gjykata që të aprovohet në tersi masa e sigurimit për parcelën kontestuese deri s atë zgjidhet çështja meritore dhe ti ndalohet kundërshtarëve Ilaz dhe Shkurte Hoti ndërmarrja e çfarëdo veprimi mbi këtë parcelë. BetimipërDrejtësi

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë