Mungon mbrojtësja e njërit nga të akuzuarit, shtyhet gjykimi në rastin për fajde

Rasti Agron Shala etj ( fajde) - 08.02.2019
Author

Raporton: Anesa HOXHA

Shkurt 8, 2019

Prishtinë – Në mungesë të avokates Florije Drevinja, është shtyrë gjykimi ndaj të akuzuarve për veprat penale ”fajde” dhe “detyrimi”, Agron Shala, Bashkim Tahiri, Naim Toqani dhe Osman Toqani.

Ata akuzohen se gjatë viteve 2012-2014   kishin dhënë para me fajde, ku në emër të këstit ishte marrë edhe një lokal, si dhe i kishin detyruar të dëmtuarit Artan dhe Labinot Shala që në dëmtim të pasurisë së tyre duke i kërcënuar në forma të ndryshme, raporton “Betimi për Drejtësi”

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Vesel Ismajli e ka arsyetuar mungesën e avokates Drevinja, pasi që ajo përmes një shkrese kishte njoftuar gjykatën, që për shkaqe shëndetësore nuk mund të jetë prezentë në seancë, pasi që ajo kishte kërkuar që seanca të shtyhej për së paku një muaj.

Në seancën e paraparë të mbahet të premten,  ka munguar edhe njëri nga dëshmitarët e propozuar nga ana e prokurorisë, Ekrem Shala.

Seanca e radhës është caktuar më 4 mars 2019, në orën 9:30.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë më 19 dhjetor 2016, kishte ngritur aktakuzë ndaj Agron Shalës, Bashkim Tahirit, Naim Toqanit dhe Osman Toqanit, të cilët i ngarkonte me veprat penale “ fajdeja” dhe “detyrimi”.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit Agron Shala dhe Bashkim Tahiri, në bazë të marrëveshjes paraprake e me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme, duke e shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare, të dëmtuarit Artan Shala i kanë dhënë para me fajde.

Në aktakuzë thuhet që në muajin Shkurt të vitit 2012, i akuzuari Agron Shala i kishte dhënë borxh të dëmtuarit  16.500 €, të cilat i kishte marrë nga i akuzuari Bashkim Tahiri, me kamatë mujore nga 1.600 €, atë kamatë i dëmtuari , ia kishte paguar të akuzuarit Shala deri në Mars të vitit 2014 e më pastaj të njëjtën kamatë, në gjashtë këste ia paguan, të akuzuarit Tahiri, me ç’rast në emër të asaj kamate u ka dhënë rreth 50.000 €, gjithashtu i akuzuari Shala në emër të një kësti të kamatës i kishte marrë të dëmtuarit edhe një lokal në sipërfaqe prej 12m2.

Gjithashtu, sipas aktakuzës edhe të akuzuarit Osman e Naim Toqani  duke e shfrytëzuar gjendjen e rëndë e të dëmtuarit  i kishin dhënë para me fajde, ku në shtator të vitit 2012, i akuzuari Osman Toqani, të dëmtuarit Shala i kishte dhënë 5.000 €  me kamatë nga 500  € në muaj, ndërsa në muajin dhjetor të atij viti i kishin dhënë edhe 5.000€  me kamatë të njëjtë si më parë, të cilën kamatë i dëmtuari ju kishte paguar herë Osman Toqanit e herë Naim Toqanit deri në muajin shtator të vitit 2014, që në shumë të përgjithshme janë rreth 30.000 € si dhe ju kishte paguar borxhin në shumë prej 10.000 €.

Tutje në aktakuzë përshkruhet se si të akuzuarit Agron Shala, Bashkim Tahiri, Naim dhe Osman Toqani që me qëllim të përfitimit të pasurisë në mënyrë të kundërligjshme i kishin detyruar tani të dëmtuarit Artan dhe Labinot Shala, që të veprojnë në dëm të pasurisë së tyre, duke i kërcënuar në forma të ndryshme.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit duke u telefonuar anëtarëve të familjes së të dëmtuarve, iu kishin kërkuar shuma të mëdha parash. Ndërsa në Shtator të vitit 2014, rreth orës 18:00, afër shkollës “Model”, i akuzuari Bashkim Tahiri së bashku me katër persona  të panjohur, e kishin ndaluar në rrugë të dëmtuarin Artan Shala, ku më pastaj aty kishte shkuar edhe i akuzuari Agron Shala me  c’rast e kishte telefonuar të  dëmtuarin Labinot Shala, duke e detyruar atë që të ju sillte para.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit në fjalë, e kishin mbajtur të dëmtuarin Artan Shala derisa i dëmtuari Labinot Shala ju kishte dërguar një shumë të hollash prej 2.000 €. Ndërsa pas disa ditësh të katër të akuzuarit kishin shkuar tek objekti i të dëmtuarve “Auto Center” dhe kishin vendosur drynat në dyer të lokaleve si dhe e kishin kërcënuar motrën e të dëmtuarve Shala, Saranda Shalën se do t’ia kallnin objektin nëse nuk u jepeshin paratë.

Ndërsa, aktakuza tregon se i akuzuari Agron Shala, në emër të një kësti të kamatës prej 1.600 €, i  kishte marrë lokalin prej 12m2 dhe se në rastet kur të dëmtuarit i kishin vonuar këstet të akuzuarit u kishin rritur kamatën deri në 1000 € për çdo ditë vonesë.

Me këto veprime ata akuzohen se kanë kryer veprat penale” fajde” nga neni 343 dhe “detyrimi” nga neni 340.