Mungon kundërshtari i  masës, shtyhet seanca ku propozuesit po kërkojnë sigurimin e parcelës në të cilën po kërkojnë vërtetimi e pronësisë

Raporton: Genta PAJAZITI

VitiNë mungesë të kundërshtarit të masës S.R., ka dështuar seanca e së hënës në Gjykatën Themelore Gjilan, dega në Viti, në rastin ku propozuesit e masës së sigurisë H.H, N.H., A.H. përmes propozimit po kërkon nga kundërshtari i masës S.R. të mos marrin asnjë veprim mbi parcelën derisa të vendoset çështja meritore.

Lidhur me mungesën e kundërshtarit së masës S.R., gjyqtari i rastit Arben Xheladini, ka konstatuar se i njëjti është ftuar nga gjykata në adresën e treguar nga propozuesit e masës, mirëpo nga shërbimi postar ftesa është kthyer me konstatimin se pala është e panjohur në këtë adresë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Propozuesi i masës A.H, dhe H.H., e informuan  gjykatën se ajo ka qenë adresa të cilën e din ata, dhe se nuk është obligim i tyre që të njëjtit të ia sigurojnë adresën, por se kjo është punë e gjykatës.

Gjykatës i çështjes Arben Xheladini i udhëzon propozuesit e masës, që për shkak të kompleksitetit të çështjes, të shikojnë mundësinë e angazhimit të një avokati, pasi që në bazë të veprimeve të deri tanishme, duke u bazuar në shkresat e lëndës, është vërejtur se nuk janë në gjendje ta përfaqësojnë vetën pa ndihmën e një profesionisti ligjorë, e gjithashtu i informon se në rast se nuk kanë mundësi që të angazhojnë avokat privatisht mund të kërkojnë nga Agjencia për Ndihmë Juridike Falas caktimin e një avokati pa pagesë.

E po ashtu gjykatësi Xheladini shtoi se lidhur me këtë çështje nuk ka as padi, por vetëm propozim për masë të përkohshme të sigurisë.

Në mungesë të kushteve ligjore, seanca shtyhet, ndërsa me aktvendim të veçantë, gjykata do të ua kthej propozuesve të masës parashtresën në plotësim me qëllim të sigurimit të adresës së saktë të kundërshtarit të masës Samet Rexhepi.

Ndryshe, me propozimin për lejimin e masës së sigurimit të datës 10 maj 2022, thuhet se propozuesit e masës së sigurimit H.H., A.H., N.H, dhe I.H. po kërkojnë nga gjykata që të ndaloj të kundërshtarin  e sigurimit S.R. që të ndërtojë në pronën e cila është objekt i kontestit, pasi që i njëjti më 7 maj 2022  edhe përkundër kësaj ka vazhduar ndërtimin e murit në ngastrën kontestuese.

Ndërsa, propozuesit lidhur me çështjen kryesore po kërkojnë  nga gjykata që të aprovohet në tërësi masa e sigurimit për parcelën kontestuese deri sa të zgjidhet çështja meritore dhe t’i ndalohet kundërshtarit  ndërmarrja e çfarëdo veprimi mbi këtë parcelë. BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë