Mungon kryetari i trupit gjykues, shtyhet seanca për korrupsion

Raporton: Syzana REXHEPI

Gjilan– Seanca e paraparë të mbahet të hënën në Gjykatën Themelore në Gjilan ndaj Refik Latfiaj i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare u shty për shkak të mungesës së kryetarit të trupit gjykues Aziz Shaqiri.

Sipas sekretares se tij, gjykatësi Azizi kishte disa probleme shëndetësore dhe siç tha ajo, seanca duhet të shtyhet. Seanca e radhës u caktua më 5 tetor 2016, në ora 9:00.

Refik Latifaj akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit”, duke iu ndihmuar në forma të ndryshme kompanive që merren me eksploatimin e rërës dhe zhavorit. Kjo ndihmë kishte konsistuar në dhënien e instruksioneve për eksploatim ilegal, të rërës dhe zhavorit, duke i udhëzuar kompanitë të pajisen me dokumente fiktive doganore si mbulesë për veprimtarinë e tyre ilegale.

Për këto veprime prokuroria pretendon që Refik Latifaj i ka kryer me qëllim të dobisë së kundërligjshëm pasurore. Sipas aktakuzës, Latifaj kishte vepruar në kundërshtim me vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, numër 02/46, të 2 nëntorit 2011, me të cilin është ndaluar në tërësi eksploatimin e materive nga shtretërit, brigjet dhe hapësirat për rreth lumenjve.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë