Mungon ish-zyrtari i Bankës Ekonomike, shtyhet gjykimi ndaj tij dhe ish-drejtorit të kësaj banke

unnamed
Author

Raporton: Sabina PERGEGA

Shkurt 7, 2019

Prishtinë – Në mungesë të ish-zyrtarit të Bankës Ekonomike, Raif Rexhepit, është shtyrë gjykimi ndaj tij dhe ish-drejtorit të kësaj banke Valon Llukës, i paraparë të mbahej të enjten, në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Rexhepi e Lluka akuzohen për shpërdorim të pozitës zyrtare ose autorizimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Shashivar Hoti ka thënë se i akuzuari Rexhepi një ditë para seancës e kishte njoftuar se për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore nuk mund të ishte i pranishëm në këtë shqyrtim gjyqësor.

“I akuzuari Rexhepi më njoftuar dje se nuk ka pasur gjendjen shëndetësore të mirë, dhe se ka pasur kontroll mjekësore”, ka thënë Hoti.

Mirëpo, mungesën e Rexhepit, e ka kundërshtuar përfaqësuesja e palës së dëmtuar, Shpresa Berisha-Rexhepi.

“Ky i akuzuari Raif është bërë doktor i vetit, kjo është e pandershme nëse sillemi kështu me gjykatën, ne jemi përgatit gjithë, kishim mujt edhe qato fjalë veç me shkrim me i dorëzu”, ishte reagimi i Berisha-Rexhepit.

Seanca e radhës është caktuar të mbahet me 25 shkurt 2019, në ora 14:30.

Ndryshe, i akuzuari Lluka gjatë dhënies së mbrojtjes më 23 janar 2019, kishte deklaruar se kishte lejuar bartjen e aksioneve te Afrim e Selim Pacolli, pasi dokumentacioni ishte i kompletuar, ndërsa Rexhepi në seancën e 11 dhjetorit 2018, kishte thënë se aksionet nuk ia kishte shitur të dëmtuarit Savino Tesoro por Afrim e Selim Pacollit, pasi sipas tij këta të fundit e kishin kryer pagesën.

Prokuroria Themelore në Prishtinë në maj 2015, kishte ngritur aktakuzë ndaj Rexhepit dhe Llukës, me pretendimin se kanë kryer veprën penale shpërdorim i pozitës ose i autorizimit, në kundërshtim me nenin 339 par.3, lidhur me par.1 të Kodit të Përkohshëm Penal.

Sipas Prokurorisë, i akuzuari Lluka, në cilësinë e drejtorit ekzekutiv të Bankës Ekonomike në Prishtinë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete dhe shkaktimit të dëmit pasuror, Savino Tesoros, ka shpërdorur pozitën zyrtare.

Ai në vitin 2011, kishte marrë pjesë në takimin negociues mes të akuzuarit Rexhepi dhe shtetasit italian Tesoro, edhe pse kishte qenë në dijeni për ekzistimin e një kontrate të lidhur mes tyre në janar 2008, ai nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim në drejtim të regjistrimit të aksioneve të blera nga TEXO S.R.L, e përfaqësuar nga Savino Tesoro.

Po ashtu, sipas aktakuzës, më 24 nëntor 2011, i akuzuari Lluka, kishte lejuar realizimin e shitjes së 6.41% të aksioneve të Bankës Ekonomike, e cila ishte bërë përmes kontratës së dyfishtë mes të akuzuarit, Rexhepi dhe blerësit, Afrim Pacolli.

Gjithashtu, prokuroria akuzon Llukën se gjatë vitit 2010, nuk ka nxjerr vendim për anulim të vërtetimit të rremë, me ç’ rast ka dëmtuar materialisht shtetasin italian, Savino Tesoron.

Ndërkaq, prokuroria pretendon se i akuzuari Rexhepi nga viti 2007 deri në 2011, me qëllim që vetes t’i sjellë dobi të kundërligjshme pasurore, dhe duke i shkaktuar dëm pasuror Tesoros, pas marrëveshjes me Tesoron përmes personit Azizi Tafaj  ia kishte dhënë përmes transferit bankar shumës prej 2.400.000 euro Rexhepit, i cili edhe pse e kishte pasur për obligim që kur të marrë këtë shumë të parave ti blej aksionet dhe ti bartë në emër të Tesoros.

Mirëpo, në aktakuzë thuhet se Rexhepi nuk iu ishte përmbajtur marrëveshjes dhe e kishte mashtruar me prezantim të rrejshëm të dëmtuarin Tesoro, se kinse do t’ia bartë aksionet në emër të tij, dhe kur i kishte blerë aksionet në të njëjtën bankë duke arritur vlerën e aksioneve në 20%, të njëjta nuk i kishte bartur fare në emër të Tesoros.

Ndërkohë, gjatë vitit 2010-2011, këto aksione i kishte shitur te disa aksionarë tjerë, ndërsa paratë e tyre i kishte mbajtur për vete.