Mungon i pandehuri, shtyhet seanca për mashtrim

FOTO PER WEB-2-  27.11.2019
Author

Raporton: Albulena Huçaj

Nëntor 27, 2019

Dragash – Për shkak të mungesës se të akuzuarit për mashtrim, Refki Sadikaj, të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Prizren, dega në Dragash, ka dështuar të vazhdojë gjykimi për këtë rast.

Gjyqtarja e çështjes, Sabahete Kurteshi, ka konstatuar se i pandehuri nuk është ftuar në mënyrë të rregullt, pasi sipas saj, nga shkresat e lëndës kuptohet se i njëjti nuk ka qenë në shtëpi, ndërsa tha se familja nuk e ka pranuar ftesën

Prezent në gjykatë ishte prokurori Naim Gashi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Seanca e radhës për këtë rast pritet të mbahet më 11 dhjetor 2019 , në ora 11:30.

Sipas aktakuzës së ngritur me 8 tetor 2018, nga Prokuroria Themelore në Prizren, i pandehuri Refki Sadikaj, akuzohet se më 27 gusht 2018, në orë të pacaktuar, në fshatin Mlik, me qëllim të përfitimit pasur për vete e ka mashtruar të dëmtuarën Bajria Ramadani.

Në aktakuzë thuhet se rasti ka ndodhur në atë mënyrë që i akuzuari shkon në shtëpinë e të dëmtuarës, ku fillimisht i kërkon 25 euro, ndërsa ditën e nesërme edhe 55 të tjera, me arsyetimin se brenda dy ditësh do t’ia sillte tetë metra dru.

Sipas aktakuzës, i pandehuri pasi i merr paratë largohet nga shtëpia e të dëmtuarës, duke i shkaktuar asaj dëme materiale.

Me këto veprime, ai akuzohet se ka kryer veprën penale të mashtrimit, nga neni 335, paragrafi 1, e Kodit Penal të Kosovës. /Betimipërdrejtësi