Mungon i padituri, shtyhet seanca për rastin ku BKS po kërkon rimbursim dëmi

20200808_153544
Author

Raporton: Rita MAZREKAJ

Nëntor 19, 2020

Pejë – Për shkak të mungesës së të paditurit Fitim Nikqi, të enjten, në Gjykatën Themelore në Pejë, është shtyrë gjykimi për rastin ku Byroja Kosovare e Sigurimit (BKS) po kërkon rimbursimin e dëmit në vlerë prej 2 mijë e 510 euro.

Sipas gjyqtares Afërdita Mulhaxha, në fletë kthesën që gjendet në shkresa të lëndës, posta ka konstatuar se adresa e të paditurit nuk është e plotë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me këtë konstatim, përfaqësuesi i  paditëses BKS, Dren Hoti, deklaroi se adresën e të paditurit e kanë dhënë të saktë, pasi e njëjta është dhënë nga Stacioni Policor në Pejë.

I njëjti kërkoi nga gjykata që përmes Stacionit Policor në Pejë të bëj verifikimin e adresës së saktë të paditurit, kurse seanca të shtyhet për një datë tjetër.

Gjyqtarja Mulhaxha mori aktvendim me të cilin e aprovoi propozimin që të bëhet verifikimi i adresës të paditurit përmes policisë, kurse seancën e shtyu për 21 janar 2021, në ora 13:00.

Sipas padisë së ushtruar me 4 qershor  2018, Byroja Kosovare e Sigurimit po kërkon nga i padituri Fitim Nikqi rimburisimin e dëmit prej 2 mijë e 510 euro, për shkak të aksidentit të trafikut të shkaktuar me 4 prill 2015, në Pejë.

Në bazë të padisë, në ditën e aksidentit, i padituri ka pasur polisë të skaduar të sigurimit dhe më pas kompensimin e dëmit e dëmtuara Adelina Demaj e ka realizuar nga BKS, për të cilën shumë tashmë po kërkohet rimbursimi. /BetimipërDrejtësi