Mungon i padituri, shtyhet seanca në rastin ku BKS po kërkon rimbursim dëmi lidhur me aksidentin e ndodhur në 2015-tën

20200115_103646 (1)
Author

Raporton: Alban MEHMETAJ

Nëntor 20, 2020

Pejë – Mungesa e të paditurit Lulzim Zeqiraj, të premten, në Gjykatën Themelore në Pejë, dega në Istog, ka bërë që të shtyhet gjykimi, në rastin ku Byroja Kosovare e Sigurimit (BKS) po kërkon rimbursimin e dëmit për aksidentin e ndodhur në tetor të 2015-tës.

Sipas gjykatësit Migjen Kastrati, gjykata nuk ka prova që i padituri Lulzim Zeqiraj është ftuar në mënyrë të rregullt, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Përfaqësuesja e  paditëses BKS, Diellza Hajdari ka deklaruar se, si palë paditëse nuk e kundërshtojnë shtyrjen e seancës, pasi që siç tha ajo gjykata nuk ka prova që i padituri është ftuar në mënyrë të rregullt.

Pas kësaj, gjykatësi Kastrati ka thënë, se ndaj të paditurit gjykata do të përsërisë ftesën në mënyrë të rregullt në adresën e përshkruar si në padi.

Ndërkaq seanca e radhës për këtë rast është caktuar të mbahet më 29 dhjetor 2020 nga ora 11:00.

Ndryshe sipas padisë së ushtruar me 23 korrik 2018, Byroja Kosovare e Sigurimit po kërkon nga gjykata që të detyrohet i padituri Lulzim Zeqiraj, që asaj t’i bëhet rimbursimi i dëmit prej 1 mijë e 350 euro.

BKS-ja këtë rimbursim dëmi po e kërkon për shkak të aksidentit të trafikut të shkaktuar me 11 tetor 2015, rreth orës 19:00 në Istog, ku i njëjti ka ardhur si pasojë e pakujdesisë së të paditurit Lulzim Zeqiraj, e nga i cili u është shkaktuar dëme familjes Bicaj.

Në bazë të padisë, në ditën e aksidentit, i padituri ka pasur polisë të skaduar të sigurimit, për çka paditësja BKS e ka kompensuar të dëmtuarën familja Bicaj, e ku të njëjtën shumë tani kjo e fundit po e kërkon nga i paditurit Zeqiraj në emër të rimbursimit. /BetimipërDrejtësi