Mungon i padituri, shtyhet seanca në rastin ku BKS-ja kërkon rimbursimin e dëmit

f29 (1)
Author

Raporton: Shqiponjë GASHI

Nëntor 29, 2019

Prishtinë – Mungesa e të paditurit Patriot Bytyqi, ka bërë që të dështojë mbajtja e seancës në çështjen civile ku Byroja Kosovare e Sigurimeve (BKS) po kërkon rimbursimin e dëmit, me rastin e aksidentit në trafik.

Kjo seancë ishte paraparë të mbahej të premten, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, por në mungesë të palës së paditur, ajo është shtyrë për një ditë tjetër, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi Enver Shabanaj tha se sipas fletë kthesës së postës të datës 15 nëntor 2019, është konstatuar se i padituri gjendet jashtë shtetit.

Ndërsa përfaqësuesja e BKS-së, Olumbije Haliti, ka deklaruar se për të vërtetuar këtë rrethanë të konstatuar nga fletë dorëzuesit e postës, do t’i drejtohet zyrës hetuese të paditëses, që brenda një afati sa më të shkurtër kohor ta vërtetojnë saktësisht vendndodhjen dhe adresën e palës së paditur.

Po ashtu ajo i ka propozuar gjykatës që përmes Qendrës së Regjistrimit Civil (QRC) dhe Policisë së Kosovës (PK), në pajtim me dispozitat e LPK-s, e njëjta të vërtetojë adresën e saktë dhe vendndodhjen e të paditurit.

Pas kësaj, gjykatësi Shabanaj aprovoi propozimin e Halitit, për t’iu drejtuar QRC-së dhe PK-së për adresën dhe vendndodhjen e palës së paditur.

Ai tha se pas përgjigjes së këtyre institucioneve, gjykata do të caktoj seancën e radhës.

Ndryshe sipas padisë së ushtruar më 21 prill 2015, i padituri Patriot Bytyqi, më 11 gusht 2012, ka shkaktuar aksident trafiku në Barilevë, me ç’rast automjeti me të cilin i padituri ka shkaktuar aksident trafiku ka goditur automjetin “Mercedes C200”, pronë e Gzamend Pllanës, ku i kishte shkaktuar dëme materiale.

Sipas padisë, i padituri ka qenë pa mbulesë siguruese, respektivisht me afat të skaduar të policës së sigurimit.

Siç thuhet në padi, i dëmtuari në këtë aksident ka bërë kërkesë për kompensim dëmi tek paditësja, e cila sipas Ligjit për Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia e Republikës së Kosovës, ia kompenson dëmin material të pësuar nga aksidenti, përkatësisht shumën prej 1,805 euro.

Me këtë padi, BKS-ja kërkon nga gjykata që ta detyroj të paditurin Bytyqi, që asaj t’ia paguajë në emër të rimbursimit të dëmit, shumën prej 1,805 euro dhe atë me kamatë ligjore nga dita e ngritjes së padisë e deri në pagesën definitive, si dhe shpenzimet gjyqësore. /Betimipërdrejtësi