Mungon i padituri, shtyhet seanca ku paditësi kërkon kthimin e pronës që pretendon t’i jetë uzurpuar

Foto nga rasti i datës 08.11.2018
Author

Raporton: Mirvet THAQI

Nëntor 8, 2018

Prishtinë – Pamundësia për t’ia siguruar adresën të paditurit Ramadan Sylejmani, ka bërë që të dështojë mbajtja e seancës gjyqësore e paraparë për të enjten, pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë, në çështjen civile, ku paditësit Ahmet dhe Agim Hyseni po kërkojnë kthimin e ngastrës kadastrale prej 60 m2, që pretendojnë të jetë uzurpuar nga tani i padituri Sylejmani.

Paditësit pretendojnë se i padituri e ka shfrytëzuar mungesën e paditësve, pasi që jetojnë jashtë Kosovës, ashtu që ka uzurpuar 60 m2 të ngastrës kadastrale, e cila ndodhet në lagjen e Veternikut në Prishtinë.

Gjykatësi i çështjes, Ylber Shurdhiqi, konstatoi se është tentuar që të bëhet dorëzimi i fletëthirrjes në adresën e të paditurit, por kjo adresë ka qenë e panjohur dhe dorëzimi nuk është realizuar.

Ndërsa, në seancën e së enjtes ka prezantuar përfaqësuesja e autorizuar e paditësve Hyseni, avokatja Vahide Braha, e cila deklaroi se do të përpiqet që edhe njëherë të sigurojë adresën e saktë të të paditurit dhe do ta njoftojë gjykatën lidhur me këtë.

Po ashtu,  ajo deklaroi se sipas njoftimeve që ka marrë nga paditësit, rezulton se janë në fqinjësi me palën e paditur, andaj edhe gjetja e adresës së saktë është e mundur.

Ndërsa, gjykatësi Shurdhiqi, për shkak të mungesës së palës së paditur vendosi që seanca e së enjtes të shtyhet për një afat të pacaktuar, derisa të sigurohet adresa e saktë e palës së paditur.

Shurdhiqi deklaroi se obligohet pala paditëse që në afatin prej shtatë ditësh t’ia dorëzojë gjykatës adresën e saktë të të paditurit Ramadan Sylejmani, me qëllim që të procedohet tutje në zgjidhjen e çështjes që është objekt kontesti.

Ndryshe, sipas padisë së ngritur më 7 prill 2009, paditësit Ahmet dhe Agim Hyseni po kërkojnë nga gjykata që ta detyrojë të paditurin Ramadan Sylejmani, që ta bëjë kthimin e pronës së uzurpuar në sipërfaqe prej 60 m2, e cila gjendet në Veternik.

Paditësit pretendojnë se i padituri në emër të djalit të tij, Arsim Sylejmani më 2007 ka blerë nga paditësit bashkëpronarë një pjesë nga kjo ngastër dhe atë sipërfaqen prej 10 ari, të cilën e ka nënshkruar dhe vërtetuar pranë Gjykatës Komunale në Prishtinë më 14 nëntor 2007.

Gjithnjë sipas padisë, rezulton se i padituri në ditën që ka nënshkruar kontratën ka hyrë në posedim dhe shfrytëzim të së njëjtës, çka do të thotë se e ka realizuar atë të drejtë e cila parashihej me kontratë.

Siç thuhet në padi, i padituri kishte shfrytëzuar mungesën e paditësit Ahmet Hyseni në kohën kur ky ka qenë i sëmurë në vitin 2008 dhe përveç ngastrës që e ka blerë dhe është bërë pronar, i njëjti ka uzurpuar pa kurrfarë bazë ligjore edhe 60 m2 në këtë ngastër kadastrale, e cila gjendet në Veternik.