Mungon i padituri, shtyhet seanca ku BKS-ja kërkon rimbursimin e dëmit për aksidentin në trafik

20181010_111008
Author

Raporton: Mirjeta PLAKIQI

Tetor 10, 2018

Drenas – Mungesa e të paditurit Mustaf Krasniqi, ka bërë që të dështojë mbajtja e seancës  në çështjen civile, ku Byroja Kosovare e Sigurimeve (BKS), po kërkon rimbursimin e dëmit, me rastin e aksidentit në trafik.

Seanca përgatitore ishte paraparë të mbahej të mërkurën, në Gjykatën Themelore të Prishtinës, dega në Drenas, por në mungesë të palës së paditur, ajo është shtyrë për një ditë tjetër.

E pranishme në seancë ishte përfaqësuesja e BKS-së, Mimoza Kllokoqi.

Gjykatësi Daut Qela, ka konstatuar se nuk ka dëshmi që i padituri ka pranuar ftesën personalisht dhe seanca e radhës do të caktohet për një datë tjetër, ku palët do të njoftohen me ftesa të rregullta.

Sipas padisë së ushtruar më 16 qershor 2014, i padituri Mustafë Krasniqi, më 25 nëntor 2011, me kamionin që drejtonte, e të cilit i kishte kaluar sigurimi, ka shkaktuar aksident trafiku në Prishtinë, me ç’rast është goditur automjeti i EULEX-it.

Pasi që siç thuhet në padi, BKS-ja pas kërkesës së palës së dëmtuar e ka kompensuar atë, kërkon që Gjykata Themelore në Prishtinë, dega Drenas, të obligojë të paditurin Mustaf Krasniqi që paditësit t’i kompensojë shumën prej 346.00 euro, në emër të rimbursimit të dëmit.