Mungon i padituri, shtyhet gjykimi për vërtetim të pronësisë

Raporton: Genta PAJAZITI

Viti – Për shkak të mungesës së të paditurit, është shtyrë seanca përgatitore në rastin ku XH.S. po kërkon vërtetimin e pronësisë nga i padituri M.B.

Gjykatësi Raif Fazliu ka konstatuar se nuk ka prova se i padituri M.B. është ftuar në mënyrë të rregullt, ndërsa ka shtuar se ka tentuar pesë herë radhazi që ta ftojë për këtë seancë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Gjykata ka tentuar më 2 qershor 2022, 6 qershor 2022, 13 qershor 2022, 16 qershor 2022 dhe me 21 qershor 2022, që t’ia dorëzoj ftesën por që sipas dorëzuesit të postës pranë gjykatës i padituri asnjëherë nuk është gjendur në banesën e tij, në adresën dhe ku e ka  pranuar përgjigjën në padi”, tha gjykatësi Fazliu.

I njëjti shtoi se në rast se i padituri e ka ndërruar adresën ka qenë i obliguar që ta njoftoj gjykatën për ndërrimin e adresës siç e obligon edhe neni 116 pika 5 i LPK-së.

Në këto rrethana, seanca është shtyrë dhe e radhës është caktuar për 13 korrik 2022.

Ndryshe, sipas padisë së ushtruar më 24 gusht 2020, paditësi Xhemajl Sylejmani po kërkon që kërkesëpadia e tij të aprovohet nga gjykata dhe të vërtetohet se ai është pronar në bazë të shitblerjes dhe mbajtjes së 1/9 pjesë të ngastrave kadastrale  numër 0576-0, në sipërfaqe prej 4069 m2, , ngastrën me numër 0583-0, në sipërfaqe prej 1714m2, numër, 0609-0, në sipërfaqe prej 2689 m2, numër 0829-1, në sipërfaqe prej 13246 m2, ngastrën numër 0629-2, në sipërfaqe prej 1750 m2, ngastrën numër 0830-0, në sipërfaqe prej 2616 m2, dhe ngastrën 01172, në sipërfaqe prej 945 m2, pjesa 1/1 që evidentohet në emër të paditurit.

Sipas padisë, paditësi i ka blerë të gjitha ngastrat nga bashkëpronarët e ngastrave, dhe këtu përfshihen edhe 1/9 pjesë e ngastrave të cilat evidentohen në emër të paditurit M.B., e të cilat i ka në vitin 2013 nga vëllau u i tij XH.S., i cili ka qenë i autorizuar për të shitur dhe lidhur kontratë për këto ngastra. /BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë