Mungon i dëmtuari, shtyhet seanca në rastin ku kryesuesi i Bordit të drejtorëve të “Trafikut Urban” po akuzohet për korrupsion

Raporton: Albina KRASNIQI

Prishtinë – Në mungesë të të dëmtuarit Lulzim Rexhepaj është shtyrë seanca e paraparë për të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Në këtë rast kryesuesi i Bordit të drejtorëve të “Trafikut Urban” në Prishtinë, Ruhan Beha po akuzohet se kishte kërkuar nga kryeshefi ekzekutiv Rexhepaj që të hapë konkurs për zyrtar të IT-së, në mënyrë që bashkëshortja e tij Lendita Beha të punësohet, por pasi i njëjti e kishte anuluar këtë konkurs, Beha kishte filluar iniciativën për shkarkimin e tij.

Në lidhje me mungesën e të dëmtuarit Rexhepaj, kryetarja e trupit gjykues Fatime Dërmaku njoftoi se nga fletkthesa konstatohet se i njëjti është shpërngulur, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në lidhje me këtë, gjykatësja Dëmraku konstatoi se trupi gjykues me shumicë votash mori aktvendim që seanca të ndërpritet, ndërsa të radhës e caktoi më 31 tetor të këtij viti, ku pritet të dëgjohen i dëmtuari Rexhepaj në cilësi të dëshmitarit dhe dëshmitari Driton Morina.

Ndryshe, të pranishëm në këtë seancë ishin prokurori Shkëlzen Ibrahimi, i akuzuari Beha me të mbrojturin e tij, avokatin Platon Sylejmani si dhe dëshmitarët Driton Morina, Gent Broqi, Valza Hyseni dhe Violeta Hysaj.

Ndryshe, Beha në shkurt të vitit 2020, ishte arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimin e  për përfshirje në veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Ushtrim i ndikimit”.

Sipas aktakuzës së ngritur më 30 tetor 2020, Ruhan Beha në cilësinë e kryesuesit të Bordit të drejtorëve të NPT “Trafiku Urban”, në Prishtinë, në vazhdimësi nga shtatorit e deri në dhjetor 2019, kishte kërkuar nga vartësi i tij Lulzim Rexhepaj, i cili kishte pozitën e kryeshefit ekzekutiv, që t’ia punësojë bashkëshorten e tij Lendita Beha, e cila ka qenë e angazhuar si praktikante në entin për punësim.

Sipas prokurorisë, i akuzuari Beha fillimisht kishte kërkuar që të hapet konkursi për pozitën e zyrtarit të IT-së e pas shpalljes së konkursit, kishte insistuar dhe drejtuar kanosje që bashkëshortja e tij të punësohet në këtë konkurs.

Siç thuhet në aktakuzë, kur i dëmtuari Lulzim Rexhepaj më 23 dhjetor 2019, kishte marrë vendim për anulimin e konkursit, i pandehuri Beha kishte filluar iniciativën për shkarkimin e tij, duke e bërë draftin e vendimit për shkarkimin e tij dhe duke e kërcënuar se do të rrahë të dëmtuarin.

Për këto veprime, Beha po ngarkohet me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414 paragrafi 3, nënparagrafi 3.1 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë