Mungon i dëmtuari, shtyhet seanca ndaj të akuzuarit se kishte blerë një telefon të vjedhur

Albani
Author
Qershor 10, 2019

Skenderaj – Sërish ka dështuar të mbahet seanca ndaj të akuzuarit për veprën penale “blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale”, Burim Hoxhaj, e paraparë për të hënën në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, dega në Skenderaj.

Arsyeja e mos mbajtjes së kësaj seance ka qenë mungesa e të dëmtuarit Safet Elshani, i cili ishte paraparë të dëgjohej në cilësinë e dëshmitarit.

I kontaktuar përmes telefonit, gjykatësi Mentor Hajraj, ka njoftuar se i dëmtuari e ka arsyetuar mungesën e tij, pasi ka menduar se kjo seancë është caktuar të mbahet më 13 qershor.

Për shkak të mungesës së të dëmtuarit, gjykatësi Mentor Hajraj, ka thënë se nuk ka kushte për vazhdimin e mëtejme të seancës, derisa atë e ka shtyrë për 3 korrik 2019, në ora 09:30.

Ndryshe, në këtë seancë ishte i pranishëm prokurori Jovo Radoviq, dhe i akuzuari Burim Hoxhaj.

Në aktakuzën e ngritur më 3 mars 2018, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Burim Hoxhaj akuzohet se gjatë muajit korrik 2017, në Skenderaj, me qëllim për t’i sjellë vetes pasuri në mënyrë të kundërligjshme kishte blerë një telefon të tipit “Samsung VI” në shumë prej 70 euro, edhe pse ka mundur ta dijë se telefoni ka qenë i vjedhur, me ç’rast i kishte shkaktuar të dëmtuarit Elshani, dëm material në vlerë prej 370 euro.

Më këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale” nga neni 345 par 2 të KPRK-së. /Betimipërdrejtësi