MUNGON I DËMTUARI, SHTYHET GJYKIMI NË RASTIN NDAJ ISH-REKTORIT TË UPZ-së
Raporton: Lutfi MORINA
Prizren – Në Gjykatën Themelore në Prizren, të mërkurën, ishte paraparë të vazhdonte gjykimi ndaj të akuzuarve Mazllum Baraliu, Adem Sallauka dhe Halim Haziraj, nën akuzën se kanë keqpërdorur detyrat e tyre zyrtare në Universitetin Publik të Prizrenit (UPZ), por i njëjti nuk u mbajt në mungesë të të dëmtuarit Enver Sopjani dhe përfaqësuesit të tij Naser Sopjani, të cilët mungesën nuk e kanë arsyetuar.
Pasi u konstatuar mungesa e të dëmtuarit në sallën e gjykimit, prokurori i rastit, Sefer Morina, ka deklaruar se nuk ka kushte për të vazhduar seanca, pasi që në këtë fazë të procedurës ku do të administrohen provat materiale, prezenca e tij është më se nevojshme.
Lidhur me këtë rrethanë të krijuar, mbrojtësi i të akuzuarit Mazllum Baraliu, avokati Ilmi Zhitia, ka deklaruar se pala e dëmtuar ka qenë e njoftuar në mënyrë të rregullt për këtë seancë, mungesën nuk e ka arsyetuar, andaj ka thënë se nuk ka asnjë pengesë që të vazhdohet me shqyrtimin, sepse mbetet në dëshirën e palës së dëmtuar nëse dëshiron të marrë pjesë në seancë apo jo dhe se dispozitat ligjore nuk parashohin ndërprerjen e seancën në mungesë të të dëmtuarit dhe përfaqësuesit të tij, të ftuar me rregull.
Mbrojtësi i të akuzuarit Adem Sallauka, avokati Fatmir Jëlliqi, ka deklaruar se mungesa e të dëmtuarit, në këtë fazë të procedurës, paraqet një hendikep të madh në mbarëvajtjen e shqyrtimit, por e ka lënë në vlerësim të trupit gjykues, nëse duhet të vazhdohet seanca apo të ndërpritet.
Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Halim Haziraj, avokati Osman Zajmi, ka kërkuar që seanca të ndërpritet, me arsye se i dëmtuari ka bërë kallëzimin penal, se i njëjti është dëshmitar kyç në këtë çështje dhe është e domosdoshme prania e tij në shqyrtim.
Kryetari i trupit gjykues, Skender Çoçaj, ka shpallur vendimin e trupit gjykues, sipas të cilit nuk ka kushte ligjore për vazhdimin e shqyrtimit, andaj shqyrtimin e ka ndërprerë dhe vazhdimin e të njëjtit e ka caktuar me datën 12.07.2016, në ora 10:00.
Më 22 Tetor 2015, Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve Mazllum Baraliu, Adem Sallauka dhe Halim Haziraj, të cilët i akuzon se në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, në atë mënyrë që duke punuar në Universitetitn e Prizrenit, me dashje, dijeni dhe qëllim për të shkaktuar dëm, i shkelin të drejtat e të dëmtuarit, Enver Sopjani, i cili megjithëse kishte kontratë valide të lëshuar nga UPZ-ja, prej datës 10.06.201, deri me datën 09.06.2014, në pozitën e Prorektorittë UPZ-së, atij ia ndërprenë marrëdhënien e punës, në mënyrë të njëanshme, me vendimin e datës 10.10.2011, të lëshuar nga rektori i asaj kohe, Mazllum Baraliu, të nënshkruar nga Adem Sallauka dhe Halim Haziraj.