Mungon i dëmtuari dhe përfaqësuesi, dështon të mbahet gjykimi ndaj të akuzuarit për detyrim

Raporton: Samire BINAJ

Prizren- Në mungesë të dëmtuarit B.K dhe përfaqësuesit të tij, të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prizren ka dështuar të mbahet gjykimi ndaj të akuzuarit për detyrim V.H.

Lidhur me mungesën e tij, gjykatësja e rastit Vjollca Buzhala tha se i dëmtuari ka qenë i njoftuar me rregull për këtë seancë sipas procesverbalit të datës 11 mars 2022, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërsa, përfaqësuesi i të dëmtuarit B.K, avokat Nexhat Elshani, ndonëse ka prezantuar në fillim të këtij gjykimi, ka kërkuar shtyrjen e saj, me arsyetimin se ka një seancë paraburgimi tek një gjykatës tjetër.

Në fillim të seancës mbrojtësja e të akuzuarit V.H, avokatja Myrvete Qollaku ka kërkuar nga gjykata të ndërmerr masa ndaj Institutit të Kosovës për Drejtësi për cenim të drejtës së të mbrojturit të saj V.H, lidhur me publikimin e të dhënave të të njëjtit në faqen zyrtare të “Betimi për Drejtësi”.

“I mbrojturi im është tejet i shqetësuar sepse i është publikuar me emër e mbiemër i akuzuari V. H në rrjetet sociale nga përfaqësuesi i IKD-s dhe në të cilin është publikuar një gjendje jo reale e cila përfaqëson shkeljen e parimit të prezumimit të pafajësisë, në këtë situatë i mbrojturi im është në gjendje shqetësuese sepse është i paragjykuar. Kërkoj nga gjykata të kërkoj përgjegjësi lidhur me këtë publikim”, tha avokatja Qollaku.

Lidhur me këtë, gjykatësja Buzhala tha se për këtë çështje ajo mund të iu drejtohet organeve përkatëse, pasi sipas saj, nëse ka ndonjë shkelje ata do të ndërmarrin masa lidhur me këtë dhe se për këto veprime nuk mund të jap vendim.

Propozimin për shtyrje të seancës të të dëmtuarit B.K, avokatit Elshani e ka kundërshtuar mbrojtësja e të akuzuarit V.H, avokatja Qollaku e cila tha se nga perfomanca joserioze e avokatit Elshani është duke u dëmtuar i mbrojturi i tij.

Në këto rrethana seanca e radhës për këtë rast është caktuar me 21 qershor 2022.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prizren, në qershor të vitit 2016, e kishte gjetur fajtor të akuzuarin V.H. për veprën penale të grabitjes dhe atë të armëmbajtjes pa leje, duke e dënuar me tre vjet burgim efektiv dhe 3 mijë e 500 euro gjobë. Por, Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rigjykim.

Gjykata Themelore në Prizren, pas kthimit në rigjykim, sërish kishte marrë aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit H., të cilin e kishte dënuar me tre vjet burgim dhe 3 mijë e 300 euro gjobë.

Ajo kishte bërë edhe ricilësimin e kësaj vepre penale, ashtu që e kishte shpallur fajtor për veprën penale të grabitjes nga neni nenit 329, paragrafi 1, vepër e cila dënohet nga 3 deri në 12 vite burgim dhe jo siç kishte qenë më parë, sipas nenit 329, paragrafi 3, i cili nen parasheh dënimin nga 7 deri në 12 vite burgim.

Por, as me këtë aktgjykim nuk kishte qenë e kënaqur Prokuroria Themelore në Prizren, e cila kishte ushtruar ankesë kundër këtij aktgjykimi.

Në seancën e mbajtur më 7 qershor 2018, ajo kishte kërkuar nga Gjykata e Apelit që të akuzuarit për grabitje e armëmbajtje pa leje t’i shqiptoj një dënim më të ashpër se sa që i ishte shqiptuar nga ana e gjykatës së shkallës së parë. 

Lidhur me këto pretendime ankimore, Gjykata e Apelit e kishte ndryshuar aktgjykimin e shkallës së parë për sa i përket cilësimit juridik për veprën penale të grabitjes, ashtu që të njëjtën e kishte ricilësuar në vepër penale të detyrimit, duke i shqiptuar të akuzuarit Hoxhaj dënim unik për të dy veprat penale, në dy vjet burgim dhe 2 mijë e 500 euro gjobë.

Por duke vendosur sipas kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë, të paraqitur nga avokatja Myrvete Qollaku, Gjykata Supreme, me 12 nëntor 2019, e kishte kthyer rastin në rivendosje për sa i përket veprës penale të detyrimit, kurse pjesën që ka të bëj me veprën penale të armëmbajtjes, Supremja e kishte vërtetuar dënimin.

Edhe pas kthimit të rastit në rivendosje nga ana e Supremes, Apeli ka vendosur sërish që të ricilësojë veprën penale të grabitjes në veprën penale të detyrimit, mirëpo, për dallim nga hera e kaluar, kësaj radhe edhe dënimi i shqiptuar ndaj H. është më i ulët për gjashtë muaj, apo një vit e gjashtë muaj burgim në krahasim me dy vite sa kishte qenë herën e kaluar.

Po ashtu, krahas dënimit me burg, H. i është shqiptuar edhe dënim me të holla në lartësi prej 2 mijë euro.

Gjykata Supreme, në vitin 2019, sërish ka anuluar aktgjykimin e Apelit, duke aprovuar kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë, të ushtruar nga mbrojtësja e H., avokatja Myrvete Qollaku, me konstatimin se me rastin e vendosjes ka pasur shkelje të ligjshmërisë dhe duhet të arsyetohet ricilësimi i veprës penale për të akuzuarin H.

Kështu, Apeli sërish ka vendosur që rasti të kthehet në rigjykim në shkallë të parë.

Sipas aktakuzës së përmirësuar të Prokurorisë Themelore në Prizren, V.H. akuzohet se më 14 nëntor 2015, në afërsi të bazenit “T&A” në Prizren, duke përdorur forcën dhe duke kanosur të dëmtuarin B.K., ka përvetësuar pasurinë e këtij të fundit, me qëllim që vetes t’i sjellë dobi pasurore të kundërligjshme.

Siç thuhet në aktakuzë, ai kishte kontaktuar me të dëmtuarin B.K. dhe e kishte ftuar për të biseduar në picerinë “Abi” dhe pas takimit të tyre në atë vend, i akuzuari del së bashku me të dëmtuarin kinse për të shkuar në shtëpinë ku K. kishte punuar një fontanë dhe me automjetin e këtij të fundit, të tipit “Pikap”, vazhdojnë rrugën deri në afërsi të bazenit të lartpërmendur.

Sipas aktit akuzues, aty i akuzuari e ka kanosur seriozisht të dëmtuarin dhe ka përdorë forcë ndaj tij, duke i shkaktuar lëndime të lehtë trupore, ku dhe ia merr shumën prej 2 mijë e 500 euro dhe del nga automjeti e largohet në drejtim të panjohur.

Tutje sipas aktakuzës, i dëmtuari K. shkon në stacionin policor për ta lajmëruar rastin, ku gjatë kohës sa ishte duke u intervistuar aty, e thërret në telefon i akuzuari H. dhe lënë takim në afërsi të picerisë “Abi”.

Gjithnjë sipas aktakuzës, pasi të njëjtit takohen, thuhet se kur i akuzuari hyp për të kërkuar para në automjetin e të dëmtuarit, ai arrestohet nga ana e policisë, pasi këta të fundit kishin qenë duke vrojtua rastin në pjesën e prapme të automjetit.

Më këtë, V.H. akuzohet se ka kryer veprën penale “detyrimi” nga neni 340, paragrafi 1 i Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej tre muaj deri në pesë vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë