Mungon i dëmtuari, dështon seanca ndaj të akuzuarit për shkatërrim të pyllit

Ferizaj
Author

Raporton: Tringa RAMADANI

Korrik 10, 2019

Ferizaj – Mungesa e të dëmtuarit Efendi Sahiti, ka bërë që të dështojë shqyrtimi gjyqësor ndaj të akuzuarit për veprën penale të shkatërrimit të pyjeve, Sokol Shaqiri.

Në fillim të kësaj seance, nga i akuzuari Shaqiri u bë e ditur se i dëmtuari Sahiti kishte pasur rast vdekje në familje, çka ka bërë që ky i fundit të mos jetë prezent në seancën e paraparë të mbahej të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Ferizaj.

Lidhur me këtë, gjykatësi i rastit, Adem Shabani, mori aktvendim që kjo seancë të shtyhet për një datë tjetër.

Seanca e radhës është caktuar më 7 gusht 2019, në ora 09:30.

Sipas aktakuzës së ngritur më 24 nëntor 2017, nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, i pandehuri Sokol Shaqiri akuzohet se më 5 tetor 2017, rreth orës 16:00, në fshatin Carralevë të Komunës së Shtimes, kishte prerë pesëmbëdhjetë trungje, në pyllin e të dëmtuarit Efendi Sahiti.

Për këtë, ai akuzohet për kryerjen e veprës penale “shkatërrim i pyjeve”, nga neni 357, paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi