Mungon i akuzuari, shtyhet seanca për vjedhje të rrymës

Rahovec (1)
Author

Raporton: Avni BERISHA

Shkurt 8, 2019

Rahovec – Mungesa e të akuzuarit Bekim Thaqi, ka bërë që të dështojë seanca e paraparë për të premten në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Rahovec, për veprat penale “vjedhje e shërbimeve komunale”.

Gjykatësi Ilir Rashaka, tha se për të akuzuarin ka dërguar ftesë të rregullt, por i njëjti nuk i është përgjigjur ftesës.

Në mungesë të tij, gjykatësi Rashkaj, për të siguruar praninë e palës për seancën e radhës tha se do të lëshojë urdhëresë.

Ndryshe, në aktakuzën e Prokurorisë Themelore Gjakovë të ngritur me 27 shtator 2016, Bekim Thaqi akuzohet se nga data e pa vërtetuar e deri me 12 tetor 2015 në fshatin Kramovik të Rahovecit në mënyrë të pa autorizuar ka shfrytëzuar energjinë elektrike.

Sipas aktakuzës i njëjti përmes kabllos është lidhur direkt në rrjetin e energjisë elektrike e me këtë ka penguar regjistrimin e energjisë elektrike të shpenzuar, gjendje kjo e konstatuar nga personat e autorizuar te KEDS-it, dhe të dëmtuarës KEDS i ka shkaktuar dëm material në vlerë 577.62 euro.