Mungon i akuzuari, shtyhet seanca për vjedhje të një telefoni

Foto 11.06.2019
Author

Raporton: Hajrije KRASNIQI

Qershor 11, 2019

Malishevë – Mungesa e të akuzuarit për vjedhje, Nazmi Thaqi, ka bërë që të dështojë seanca e paraparë për të martën, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë.

Gjykatësi Lulzim Paçarizi, tha se i akuzuari është ftuar në mënyrë të rregullt, mirëpo i njëjti nuk prezanton.

Në mungesë të tij, gjykatësi Paçarizi, tha se seanca është shtyrë dhe e radhës është caktuar 11 korrik 2019, në ora 09:30, ndërsa sipas tij, i akuzuari do të ftohet me detyrim përmes stacionit policor në Prizren.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, të ngritur më 18 gusht 2017, Nazmi Thaqi, po akuzohet se ka kryer veprën penale “vjedhje”, nga neni 325, paragraf 1, të KPPK-së.

Në aktin akuzues thuhet se i akuzuari më 17 shkurt 2017, rreth orës 21:00, në Malishevë, me qëllim të përfitimit pasuror të kundërligjshëm, ia merr pasurinë e luajtshme të dëmtuarit Armend Mazreku, duke e shfrytëzuar momentin, derisa i dëmtuari ishte duke i ndihmuar axhës së tij që  ta pastrojë parkun e qytetit, i akuzuari ia merr xhaketën së bashku me telefon të dëmtuarit duke ikur nga vendi i ngjarjes.

Sipas aktakuzës, me këtë i akuzuari i shkakton dëm material të dëmtuarit në vlerë prej 180 euro. /Betimipërdrejtësi