Mungon i akuzuari, shtyhet seanca për vjedhje të energjisë elektrike
Raporton: Verona KADRIU
Ferizaj – Seanca e paraparë të mbahej në ora 14:00, të martën në Gjykatën Themelore në Ferizaj ndaj të akuzuarit Naim Xhuka për shkak të veprës penale “vjedhje e shërbimeve komunale”, nuk u mbajt pasi që mungoi i akuzuari.
Gjyqtarja e çështjes, Hysnije Gashi konstatoi se i pandehuri është ftuar në mënyrë të rregulltë dhe ftesën e ka pranuar, ndërsa mungesën nuk e ka arsyetuar. Andaj për shkak të mosplotësimit të kushteve ligjore shqyrtimi gjyqësor i caktuar nuk u mbajt, ndërsa seanca e radhës nuk u caktua për ndonjë datë konkrete.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, i pandehuri Naim Xhuka akuzohet për veprën penale “vjedhje e shërbimeve komunale”, sepse në kohë të pacaktuar e deri më 20 dhjetor 2013, në shtëpinë e tij në fshatin Pleshinë, Komuna e Ferizajt, gjatë kontrollit të njehsorit elektrik nga KEDS-i, është konstatuar se është furnizuar me energji elektrike në mënyrë ilegale, duke dëmtuar KEDS-in në shumë prej 264,90 euro.