Mungon i akuzuari, shtyhet seanca për vjedhje të 80 litrave naftë

Raporton: Verona KADRIU

Ferizaj – Seanca e paraparë të mbahej të hënën në ora 9:30, në Gjykatën Themelore në Ferizaj, ndaj të pandehurve Pajtim Syla i akuzuar për veprën penale “blerja,pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale” dhe Alban Rizani i akuzuar për veprën penale “vjedhje” nuk u mbajt pasi që ky i fundit nuk përfilli ftesën e Gjykatës. Ndërsa prezent ishte i akuzuari tjetër Pajtim Syla si dhe i dëmtuari në këtë rast Aziz Amrushi.

Gjyqtari individual i çështjes Ilir Bytyçi konstatoi se i pandehuri Alban Rizani ka pranuar ftesën e rregullt të dërguar nga gjykata ndërsa mungesën e tij nuk e ka arsyetuar. Andaj për shkak të mosplotësimit të kushteve ligjore seanca e caktuar të mbahej të hënën më 1 gusht 2016 në ora 09:30, me aktvendim është shtyrë për datën 2 shtator 2016 në ora 09:00. Po ashtu, Gjykata morri aktvendim që ndaj të pandehurit Alban Rizani të lëshohet urdhër arrest, sepse i njëjti për të dytën herë nuk i përgjigjet ftesës së gjykatës.

Prokuroria Themelore në Ferizaj akuzon të pandehurin Alban Rizani për veprën penale “vjedhje”, sepse në muajin shkurt 2014 ka vjedhur 80 litra naftë në kamionin e të dëmtuarit Aziz Amrushi dhe naftën e vjedhur pastaj ia kishte shitur tani të akuzuarit Pajtim Syla në vlerë prej 30 euro, ku  më këtë rast i ka shkaktuar dëm material të dëmtuarit. Ndërsa i pandehuri i dytë në këtë çështje penale Pajtim Syla akuzohet për veprën penale “blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale”, sepse me datën e pacaktuar, në fshatin Pjetërshticë, Komuna e Shtimes, ka blerë nga i pandehuri Alban Rizani 40 litra naftë, pa u siguruar për prejardhjen e të njëjtit edhe pse ka mundur t’a dijë se kjo naftë është vënë në dorë me anë të vjedhjes sepse është blerë me çmim të ulët prej 30 euro, dhe nuk është blerë nga pronari.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë