Mungon i akuzuari, shtyhet seanca për korrupsion

Raporton: Lutfi MORINA

Prizren – I akuzuari Anton Vuçaj, sipas mbrojtësit të tij, avokatit Pjetër Përgjoka, është i sëmurë rëndë dhe këto ditë do t’i nënshtrohet një operacioni në QKUK, andaj nuk ka mundur të marrë pjesë në seancën e paraparë për tu mbajtur të hënën në Gjykatën Themelore në Prizren.

Kështu ka deklaruar Përgjoka, të hënën, ku pritej të vazhdonte gjykimi për të pandehurin Vuçaj dhe të akuzuarit tjerë, Vjollca Kabashi dhe Bajram Kryeziu.

Përgjoka nuk ka specifikuar sëmundjen prej së cilës lëngon i mbrojturi i tij dhe se çfarë ndërhyrje do të ketë.

Me këtë rast, Vjollca Kabashi, ka njoftuar gjykatën se të dielën kishte biseduar me Anton Vuçajn dhe i njëjti i kishte thënë se është transferuar nga QKUK në “Spitalin Amerikan”, për të bërë ndërhyrjen.

Kryetari i trupit gjykues, Skender Çoçaj, ka konstatuar se nuk ka kushte ligjore për të mbajtur këtë shqyrtim, andaj të njëjtin e ka shtyrë për 27 tetor 2016, në ora 09:00, poashtu ka thënë se do të kërkojë informata zyrtare nga QKUK.

Vjollca Kabashi, së bashku me Anton Vuçajn dhe Bajram Kryeziun, akuzohen nga prokuroria për keqpërdorim të detyrës zyrtare, mashtrim dhe falsifikim të dokumentit zyrtarë.

Të akuzuarit me këto vepra penale i kanë shkaktuar dëm institucionit mikrofinanciar “Finca” në vlerë rreth 900 mijë euro.

Deri më tani, në këtë rast, kanë dëshmuar më shumë se 20 dëshmitarë, prej 60 dëshmitarëve që janë të propozuar gjithsej në aktakuzë.

Letërnjoftimet e mbi 60 dëshmitarëve në këtë rast, sipas organit të akuzës, janë përdorur nga agjentët e autorizuar të bankës “Finca”, Agim Gashi, Besim Gashi, Sadik Gashi, Blerim Gashi, Milaim Hyseni dhe Bajram Kryeziu, për të lëshuar kredi në emër të tyre, duke i bërë të njëjtit bashkë-huamarrës dhe garantues.

Shumica e dëshmitarëve deri më tani kanë dëshmuar se familja Gashi u ka kërkuar letërnjoftimet për arsye të ndryshme dhe më vonë ata i kanë kontaktuar zyrtarët e bankës në fjalë, duke u thënë se kanë borxh ndaj bankës.

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë