Gjakovë – Mungesa e të akuzuarit Afrim Radoniqi, ish-Avokat Publik në Komunën e Gjakovës, u bë shkak për shtyrje të seancës në Gjykatën Themelore në Gjakovë.
Me gjithë faktin se i akuzuari Radoniqi kishte qenë i njoftuar nga seanca e kaluar për datën dhe kohën e mbajtjes së seancës, i njëjti nuk prezantoi në sallën e gjyqit, çka e shtyu gjyqtari Artan Sejrani të merr aktvendim për shtyrje të seancës. Seanca e radhës për këtë rast, u caktua për 14 korrik 2016.
I bashkakuzuar në këtë proces gjyqësor është edhe Xhevat Rraci, Drejtor në Drejtorinë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, në Komunën e Gjakovës, të cilët akuzohen për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Ky shqyrtim gjyqësor po zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, e cila i ngarkon Afrim Radoniqi dhe Xhevat Rraci se kanë shfrytëzuar autoritetin zyrtar, duke tejkaluar kompetencat e tyre, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete dhe personit tjetër. Me këtë i kanë shkaktuar dëm Komunës së Gjakovës, në atë mënyrë që arrijnë marrëveshje për kompensim me pronarin e mëparshëm Pren Ibishaj, të cilit i njihet e drejta në shfrytëzimin e përhershëm të ngastrës kadastrale me sipërfaqe prej 345 metra katrorë, pa obligim të kompensimit në emër të shfrytëzimit dhe rregullimit të tokës ndërtimore, duke obliguar Komunën e Gjakovës të bëjë ndryshimet adekuate në librat kadastrale në emër të Prenk Ibishaj, duke i shkaktuar dëme materiale Komunës së Gjakovës.