Mungon i akuzuari, shtyhet seanca e korrupsionit

Raporton: Valdet HAJDINI

Prishtinë – Mungesa e të akuzuarit Jakup Dumani ka bërë që të mos mbahet seanca e gjyqësore e korrupsionit, në gjykimin kundër  Atdhe Kabashi dhe Jakup Dumani.

Gjyqtari Nora Bllaca njoftoi se i akuzuari Jakup Dumani kishte njoftuar gjykatën se është i sëmurë dhe nuk do të mund të vijë në gjykim. Për këtë arsye, sipas gjyqtares Bllaca, është shtyrë seanca e korrupsionit, e paraparë të mbahet të martën.

Ky gjykimin zhvillohet në bazë të aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, e cila ngarkon Jakup Dumanin me veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Prokuroria pretendon se i akuzuari përgjatë viteve 2013-2014, në cilësi të Drejtorit të Drejtorisë për Inspekcion në Komunën e Fushë-Kosovës, nuk kishte ndërmarrë veprime që bien në kompetencë të tij, për të rrënuar objektin e ndërtuar pa leje nga ana e firmës “Kabashi AM” SHPK me qëllim që kjo kompani të përfitojë.

Ndërkaq, Atdhe Kabashi pronar i kësaj firme akuzohet se ka vepruar në kundërshtim me ligjin për ndërtim dhe standardet minimale dhe se pa leje ka ndërtuar objektin banesor në fjalë. Ai ngarkohet me veprën penale “punime ndërtimore të kundërligjshme”.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë