Mungon i akuzuari, shtyhet për kohë të pacaktuar gjykimi për vjedhje të shërbimeve

20200115_103643 1
Author

Raporton: Alban MEHMETAJ

Janar 20, 2020

Istog – Në Gjykatën Themelore në Pejë, dega në Istog, ka dështuar të mbahet gjykimi në rastin ku i pandehuri Sali Dekaj, po akuzohet për vjedhje të shërbimeve.

Shkak i dështimit të seancës fillestare të së hënës, ka qenë mungesa e të akuzuarit Dekaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi Gani Rugova, ka deklaruar se i pandehuri është ftuar në mënyrë të rregullt, por mungesën në seancë nuk e ka arsyetuar.

“Nga fletëkthesa është konstatuar, se i pandehuri gjendët në botën e jashtme, ku gjykata do të kërkojë nga ana e policisë informata shtesë lidhur me vendqëndrimin e të pandehurit”, ka thënë gjykatësi Rugova.

Në këto rrethana, gjykatësi Gani Rugova, tha se seanca e radhës shtyhet në kohë të pacaktuar.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë më 26 dhjetor 2019, duke e akuzuar të pandehurin Sali Dekaj për veprat penale “vjedhje e shërbimeve”, nga neni 314 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Dekaj në kohë të pavërtetuar e gjerë më 3 janar 2018, në cilësi të shfrytëzuesit të energjisë elektrike, e në kundërshtim me ligjin, me qëllim që vetes t’i sjell pasuri në mënyrë të kundërligjshme, pa autorizim të furnizuesit të autorizuar ka vjedhur energjinë elektrike.

Në aktakuzë thuhet se, i pandehuri të dëmtuarës KEDS, i ka shkaktuar dëm material në vlerë prej 23.73 euro.

Tutje, në aktakuzë, thuhet se i pandehuri, në kohë të pavërtetuar e gjerë më 28 mars 2018, në mënyrën e njëjtë si më lartë ka vjedhur energjinë elektrike.

Sipas aktakuzës, gjatë një kontrolli të bërë nga KEDS-i, më 23 mars 2018, të njëjtit kanë hasur se i pandehuri është shkyçur nga distanca, dhe i kyçur direkt në rrjetin elektrik pa matje, duke i shkaktuar KEDS-it dëm material në vlerë prej 69.88 euro. /Betimipërdrejtësi